Fshati Kuç Buronjë i Himarës nuk ka ujë të pijshëm, edhe pse janë dhënë 1.8 milionë Euro për të ndërtuar rrjetin e tubacioneve për këta banorë.
Sipas banorëve, ujin ata e sigurojnë në lumë. Shkak është bërë lënia në mes e investimit edhe pse ka përfunduar ndërtimi i depove.
Emisioni “Stop” ka investiguar këtë problem. Me financuese Bankën Gjermane për Zhvillim, Qeverinë Shqiptare dhe Bashkimin Evropian, me autoritet kontraktor Fondin Shqiptar Të Zhvillimit, Bashkia e Himarës si përfituese, investimi për furnizimin me ujë të fshatit Kuç Buronjë ka kushtuar plot 1.841.303 Euro.
Banorët tregojnë se puna është lënë përgjysmë dhe në shtëpitë e tyre nuk ka asnjë pikë uji.
“Kjo depo është nisur për depo uji që do furnizonte fshatin Kuç Buronjë me gjithë lagjet e tij. Gjë të cilën tubacioni shpërndarës me difektet e saj dhe me mangësi në vendbanimet, te shtëpitë e banuara dhe të pabanuara, lagjeve të tjera nuk u kanë çuar fare tubacion. Në Gura është burimi. Tubo kryesore që kalohet në sipërfaqe në pjesën dërrmuese, që do e hajë ndryshku maksimumi për 10 vjet, del në krye të Kuçit. Përveç se kaq sa paraqita, s’ka asnjë funksion tjetër”, thotë një banor.
Administratori i Vranishtit thotë se linja nuk ka funksionuar asnjëherë.
Gramoz Balili, administrator i Vranishtit: Ka dy vjet, që është investuar. Është bërë linja, linja nuk ka funksionuar. Ne kemi bërë kërkesat, po pse, nuk e di unë, nuk jam teknik.Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme në bashki, qoftë verbale, qoftë me shkrim. Sot, duhet të ketë ardhur brigada, për të vënë ujin në ujësjellësin, në rrjetin shpërndarës. Lagjia, që diskutojmë, lagjia përtej lumit ( Kuç Buronja), nuk ka pasur ndonjëherë ujësjellës, s’ka pasur shpërndarje. E marrin në burimet, që ka lagjia, me burime individuale.Jo në lumë, asnjë shtëpi nuk merr ujë në lumë.
Ujësjellësi kishte parashikuar të kryente lidhjet 100% brenda Nëntorit 2023. Por në Janar 2024, kjo nuk ka ndodhur.
Andrea Goro, drejtor i Ujësjellësit Himarë: Nuk është vendosur akoma sistemi 100%, sistemi i ri në punë. Ka pasur problematika teknike, po punohet. Brenda muajit Nëntor, i është dhënë fjala banorëve, kryesisë së Këshillit Bashkiak, që ujësjellësi në Kuç do të jetë funksional.
Ujësjellësi shprehet se ky investim është marrë në dorëzim në Maj të vitit 2023 dhe në Verë u përqëndrua te mbarëvajtja e sezonit turistik. Ky institucion pretendon se përsa i takon lidhjeve të reja, procesi nuk vazhdon me ritmet e duhura, sepse stafet kanë hasur me kundërshti të banorëve konsumatorë, që duan të shmangin pagesat.