Fluks pacientësh me viroza në spitalin e Fierit, mjeku: Gjendja është e rënduar!

Spitali rajonal i Fierit është përballur me fluks pacientësh, ku në 10 ditët e para të vitit numërohen rreth 1250 vizita.

Sipas mjekut, Blendi Dhespollari gjendja paraqitet e rënduar pasi numri i vizitave ka arritur deri në 150 raste në 24 orë, ndërsa shprehet se të rrezikuar nga virozat janë kryesisht moshat e treta që kanë edhe sëmundje bashkëshoqëruese.

Mjeku u shpreh se për këta pacientë është e nevojshme hospitalizimi dhe trajtimi nga bluzat e bardha pasi rrezikojnë edhe jetën.

Ai shtoi se nga testimet e kryera deri më tani nuk kemi të bëjmë me Covid-19, por me viroza të stinës. Ai bën thirrje që pacientët me simptoma më të lehta t’u drejtohen qendrave shëndetësore dhe mjekut të familjes.

Mjeku Dhespollari ka përmendur edhe masat për t’u mbrojtur nga këto viroza, si qëndrimi në ambiente të ajrosura e jo të mbyllura, përdorimi i lëngjeve, përdorimi i antipiretikëve si paracetamol e ibuprofen.

Share it :