Mafia e betonit zgjat duart drejt Pogradecit/ Politikanë dhe koncesionarë në projektin e kullave te “Oktapodi” buzë liqenit!

0
163

Nga Boldnews.al

Në dhjetor të vitit 2023, 12 deputetë të PS-së kanë kërkuar që brenda zonave të mbrojtura të lejohen ndërtime, madje edhe me të ashtuquajturin Investimet Strategjike. Një ndërmarrje që sjell shkatërrimin edhe të atyre pak zonave të mbrojtura në Shqipëri. Përkundër deklaratave edhe të Bashkimit Europian se është një “zhvillim skandaloz”, sërish nisma e tyre ka vijuar, teksa është gati edhe të miratohet në Parlament, pas “miratimit” të kryeministrit Edi Rama në një dalje publike.

Pra, gjithçka është gati që edhe brenda zonave të mbrojtura të ketë ndërtime, madje edhe shumëkatëshe. Një nismë e rrezikshme, pasi pritet që edhe brenda lagunave, liqeneve, lumenjve e zonave të tjera, të ketë komplekse turistike, ku qeveria jep falas truallin. Por, a nuk mjaftojnë zonat ekonomike të shpallura për ndërtime që të shkatërrohen edhe këto peisazhe?! Natyrisht që ka me dhjetëra zona ku mund të ndërtohet, por duket se pas gjithë kësaj nisme të jetë një skemë e pastër zhvillimi. Ka dyshime të mëdha se 12 deputetët janë përdorur nga grupet e mëdha të biznesit, nga ana që kanë marrë pasuri publike, që marrin paratë nëpërmjet tenderëve apo edhe që kanë marrë koncesione. Gjithçka është një skemë e pastër interesi, ku politikanët bashkëpunojnë ngushtë me koncesionarë për të zhvatur edhe pronat në zonat e mbrojtura.

Në foto: AKZM thotë se Liqeni i Pogradecit është “peisazh i mbrojtur”

Ndërkohë që nisma e 12 deputetëve vetëm sa ka shkaktuar debate, grupet e interesit kanë filluar të përgatiten. Ose më saktë; pa kauar ende në Kuvend, ata kanë bërë gati projektet për ndërtimet shumëkatëshe. Në kto radhë do të ndalemi në Pogradec, ku janë parashikuar të ndërtohen në breg të Liqenit të Pogradecit kulla të mëdha, që pritet t’i marrin “frymën” pjesës tjetër. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura thotë se Liqeni i Pogradecit është “peisazh i mbrojtur”. “Liqeni i Pogradecit, është liqeni më i thellë tektonik në Ballkan (289m).

Përfshin një sipërfaqe prej 358.2 km², ku 109 km² i takon Shqipërisë. Vija bregliqenore është 87.5 km e gjatë, nga të cilat i takojnë 31.5 km Shqipërisë dhe 56 km Maqedonisë Veriore” thotë AKZM. Sipas saj, më 5 korrik 2019, për shkak të pasurisë së lartë biologjike dhe kulturore të Liqenit të Ohrit, pjesa shqiptare e tij bashkë me zonën përreth, u përfshi në Listën e Trashëgimisë mikse Natyrore dhe Kulturore Botërore të UNESCO-s. Pra, që të ndërtosh në këtë zonë duhet të marrësh një sërë lejesh, madje edhe nga UNESCO.

Në foto: Bashkia e Pogradecit ka bërë disa studime pjesore për bregun e liqenit

Bashkia e Pogradecit ka bërë disa studime pjesore të Bregut të Liqenit. “Ky plan, për brezin e Liqenit përcakton disa elemente kyçe, të tilla si përcaktimi si zonë në ruajtje e zonës të banimit me ndërtime 2-3 kate dhe ruajtja e karakteristikave arkitektonike të saj, përcaktimin e një këndi lojërash për fëmijë, rikonstruksionin e objekteve të degraduara dhe rikthimi i tyre me funksion turistik (Oktapodi, godina e Turizmit të vjetër, etj)” thuhet në këtë dokument. Pra, kënde lojërash dhe ndërtime nga 2 deri në 3 kate.

Madje, edhe në “gjurmën” ku do të ngrihen kullat, te e ashtëquajtura ‘Oktapodi”, një godinë e ngritur para vitit ’90, që ka shërbyer si pikë referimi për pogradecarët dhe jo vetëm. Bashkia thotë se ka kërkuar “kartimin e projektit për rehabilitimin e objektit të ‘Oktapodit’ dhe hapësirës publike përreth përfshirë edhe Turizmin e vjetër” thuhet në këto dokumente.

Në foto: Godina e “Oktapodit” në Breg të Liqenit të Pogradecit 

 

Prej shumë vitesh, pavarësisht se ka pasur dhjetëra studime për kthimin e asaj gjendje në kënde për fëmijë dhe parqe, sërish Bashkia e Pogradecit e ka lënë “me dashje” në atë gjendje. Aktualisht, godina e Oktapodit, siç edhe shihet nga fotot e mësipërme, është e shkatërruar. Në vite ajo ishte kthyer në strehë për narkomanët, ndërkohë që s’kanë munguar as ngjarjet kriminale. Vetë qytetarët e Pogradecit mendojnë se gjithçka është bërë me vetëdijë, pasi trualli ku është Oktapodi ka qenë objekt i kërkesave të shumta të biznesmenëve, qoftë lokalë dhe ata nga Tirana. Jo shumë larg godinës, është ngritur një super pallat, nga vëllezërit e ish kryetarit Eduart Kapri.

Leja e ndërtimit të këtij pallati ishte pezulluar, por kjo s’i pengoi në atë kohë Kaprit që t’a ndërtonin. “Oreksi” i tyre ishte edhe “Oktapodi”, por këtu dolën në “skënë” oktapodët nga Tirana, të cilët me vendime të tjera të dyshimta fituan pronësinë mbi godinën dhe një pjesë të truallit. Dhe, këtu fillon i gjithë zaptimi i Bregut të Liqenit, në kundërshtim me UNESCO-n dhe ligjet vendase për Zonat e Mbrojtura.

Në foto: Projekti për ngritjen e kullave në Breg të Liqenit të Pogradecit, që është “peisazh i mbrojtur” 

 

Redaksia e BoldNews.al ka mësuar se buzë liqenit të Pogradecit, në pjesën qendrore të qytetit, do të ndërtohen kulla të mëdha. Mësohet se projekti ka kaluar në KKT, ku tashmë është vetëm për firmë të Edi Ramës. Mësohet se kullat do të ndërtohen mbi lulishten e zonës së ish-hotel Turizmit të vjetër. Projekti paashikon një sipërfaqe prej 22 mijë m2 dhe është buzë Liqenit të Pogradecit. Nga të dhënat e siguruara nga redaksia jonë, bëhet fjalë për ndërtimin e 5 kullave të larta.

Më e madhja parashikohet të jetë 25 kate dhe më e ulta 13 kate. Por, nëse ndërtohen këto kulla, po pjesa tjetër e qytetit? Natyrisht që del geto, pasi i zë frymën ky projekt i stërmadh. Mësohet se projekti ka shkuar me urgjencë në KKT, teksa janë bërë edhe lobimet përkatëse. Një nismë kryesore është edhe miratimi i ligjit të 12 deputetëve, që do të sjellë ngritjen e këtyre kullave në një “peisazh të mbrojtur”.

Në foto: Gjurma në hartë ku do të ndërtohen kullat është në pjesën qendrore të qytetit

Por, kush do t’i ndërtojë këto kulla? BoldNews.al ka mësuar nga burime pranë KKT-së se bëhet fjalë për një mori biznesmenësh, koncesionarësh që bashkëpunojnë me politikanë qendrore dhe lokalë. Emri i parë i lakuar në gjithë këtë histori është kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, që ka dhënë dritën jeshile. Më pas, deputetët e zonës që kanë lobuar fortë për këto ndërtime. “Godina dhe trualli i Oktapodit ka qenë në pronësi të një biznesmeni që kishte konflikte të mëdha me kryeministrin Edi Rama.

Aq sa i prishën edhe disa struktura hoteliere në verën që sapo lamë pas” thanë burimet për redaksinë tonë. Mësohet se mes biznesmenit në fjalë dhe biznesmenëve të tjerë ka pasur negociata të vazhdueshme për shitjen e të gjithë truallit, me qëllim që ky i fundit të merrte edhe pronë shtetërore. “Pasi biznesmeni në fjalë u sulmua në të gjithë bizneset, ai u ‘detyrua’ që t’a shiste truallin dhe godinën e Oktapodit” vijojnë burimet.

Të njëjta burime i treguan BoldNews.al se firma që ka dërguar projektin është një “klient” i rregullt i qeverisë, ku ka marrë dhjetëra leje ndërtimesh. Madje edhe një koncesion në fushën e hidrokarbureve. Dhe, nga trualli dhe godina e vjetër prej maksimumi 100 m2 të Oktapodit, qeveria do t’i falë këtij biznesmeni edhe një sipërfaqe prej 21 mijë metra katrorësh, buzë Liqenit të Pogradecit. Brenda një zone të mbrotjur. Një aferë e madhe.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here