Ekspertët konstatojnë se shpenzimet e universiteteve janë të fokusuara tek kontratat e restaurimeve, kostot e personelit apo administratës dhe blerjet e shërbimeve rutinë. Konstatohet se ende mungojnë disa shërbime bazike për studentët.
“Paratë e universiteteve për gjithë këto vite kanë shkuar për kontrata me makinat, rojet, infrastrakturë apo gardhe rrethues. Nuk kanë shkuar për laboratorët apo kërkimin shkencor dhe i kanë lënë studentët vetëm. Një student në secilën prej universitete tona nuk ka mundësi të printojë një letër auditor, nuk ka mundësi që të ketë wi-fi apo internet falas në shkollë”-Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare.
Prej më shumë se një dekade Shqipëria nuk po bën dot realitet as ambicien për pajisjen e shkollave me internet. Të dhënat nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal tregojnë se vetëm 4.8% e shkollave në Shqipëri kishin internet në vitin 2018. Në rajon kjo përqindje është shumë e lartë. Në Malin e Zi, 100% e shkollave kanë internet, ndërsa në Serbi 99.2% e shkollave, në Maqedoni kanë internet 88.4% e shkollave dhe në Kosovë 88% e tyre. Në Bosnjë 25.7% e shkollave publike kishin internet.
“Qëndresa Qytetare” një organizatë të rinjsh e fokusuar tek arsimi ka gjetur se shtatë universitetet publike të monitoruara kanë shpenzuar shifra të majme për honorare, dieta dhe shpërblime për personelin akademik.
Në krye të listës renditet Universiteti Politeknik që ka shpenzuar për këtë zë plot 1.5 milion Euro; Universiteti i Elbasanit ka shpenzuar rreth 556 mijë euro, ndërsa universiteti i Tiranës ka shpenzuar 391 mijë euro për honorare dhe shpërblime.
Mes qindra tenderash që universitetet zhvillojnë çdo vit, ka mes tyre që konsiderohen të cuditshëm, të panevojshëm apo që sjellin shpenzim të parave pa eficencë. I tillë mund të konsiderohet edhe investimi që bëri universiteti i Tiranës prej 283 mijë Euro për mirëmbajtje ndërtese dhe ambienti rrethues.
Në këtë universitet, vetëm dy fakultetet, Filologjiku dhe Ekonomiku rezultojnë me një mur rrethues. Një investim të tillë ky universitet e realizoi edhe para 4 vitesh, kur për të njëjtin zë, në vitin 2019 u shpenzuan 170 mijë Euro për rikualifikimin e oborrit të Fakultetit të Filologjisë.
“Universiteti mund të shërbejë si një nga institucionet kryesore për të mbajtur të rinjtë në vend. Duke ofruar cilësi më të mirë, transparencë për paratë që menaxhon, duke ofruar modele positive”- u shpreh Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare./Top Channel