Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe anëtari i Kryesisë, Belind Këlliçi dolën sot në një deklaratë për mediat ku sollën sërish fakte lidhur me angazhimin e Ramës dhe të gjithë qeverisë për t’i dhënë Karlo Bolinos në kundërshtim me ligjin, një pronë të destinuar për shkollë publike, një pronë të falur, të dhuruar nga familja Begeja.
Noka:” Jam sot përpara jush për të informuar publikun për një kallëzim penal që kam depozituar para dy ditësh pranë Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Siç e dini, pasi është bërë publike dhe denoncuar disa herë nga kryetari i PD, Sali Berisha, ky kallëzim penal vjen si pasojë e të gjitha shkeljeve penale që ka kryer direkt Edi Rama dhe qeveria shqiptare në bashkëpunim me shtetasin Karlo Bolino.
Dua t’u sqaroj në vija të përgjithshme se në thelb në këtë denoncim, ne kemi të bëjmë për të publikuar angazhimin direkt të Edi Ramës, të ministres Anila Denaj dhe të gjithë qeverisë, por edhe të Erion Veliajt dhe Bashkisë së Tiranës, për t’i dhënë Karlo Bolinos në kundërshtim me ligjin, një pronë të destinuar për shkollë publike, një pronë të falur, të dhuruar nga familja Begeja.
Bëhet fjalë për një seri ndryshimesh të VKM-së numër 54 të vitit 2014. Konkretisht Edi Rama dhe qeveria e tij në katër VKM, me referencë specifike kompaninë Bolino, vjedhin 1500 metër katrorë tokë të falur nga familja Begeja, trashëgimtar i të cilës është zoti Malltezi.
Bëhet fjalë për një vendim të KKT të firmosur nga Edi Rama dhe 1.4 milionë euro para të taksapaguesve shqiptarë, që kanë shërbyer për të konvertuar Karlon në pronar të një prej medieve personale të pushtetit. Një media, e cila e nis dhe e mbyll ditën me shpifje, me trillime, me sulme, me baltosje dhe mashtrime kundër opozitës dhe kryesisht PD-së.
Edhe pse Edi Rama dhe qeveria e tij i kanë të gjitha pushtetet në dorë, i kanë të gjithë firmat, vulat dhe mekanizmat, ata përsëri nuk ndalen në avazin e tyre, falsifikimin dhe mashtrimin me dokumentet zyrtare të shtetit. E gjitha kjo bëhet vetëm e vetëm që Karlo Bolino dhe grupi i tij mediatik, një media banale, të shndërrohet në media të madhe.
Edi Rama e dinte shume mirë që ajo pronë, ai truall prej 4,021 m2, nuk mund të merrej dot nëse ai nuk do të falsifikonte dhe do të urdhëronte Anila Denajn, të cilën e ka rikthyer serish në kabinetin e hajdutëve, që të shkelte çdo ligj në shërbim të Karlos.
Faktet janë tronditëse dhe ulëritese. VKM-ja e jashtëligjshme e Karlos miratohen çuditërisht brenda 24 orëve. Kontratat e Karlos firmosen me falsifikime të rënda fap-fap-fap nga Edi Rama. I zbardhet leja e ndërtimit mbi dokumente të falsifikuara dhe i jepen milionat e eurove tendera nga AKSHI, Karlo bëhet jo vetëm biznesmen, por edhe pronar televizioni dhe trualli.
Ndërkohë që pronaret e vërtetë të atij trualli, që përfaqësohen nga zoti Malltezi, përndiqen, hetohen dhe burgosen, njësoj si në periudhën e errët të diktaturës hoxhiste, vetëm pse për 14 vite kanë rifituar ligjërisht 410 m2 tokë të rrëmbyer për 5 dekada nga regjimi komunist.
Sali Berisha burgoset pse procedura e rikthimit te truallit tek pronarët legjitimë zgjati 14 vite dhe në këtë procedure nuk ekziston asnjë firme e tij as dhe dëshmi kundër tij. Ndërkohë Edi Rama bën pronarë me firmën e tij brenda 24 orësh, Karlon e vet. Ndërkohë në dosjen e mbushur me trillime dhe mashtrime kundër Sali Berishës, ka vetëm një firmë të jashtëligjshme dhe flagrante, dhe ajo është firma e vetë Edi Ramës si kryetar bashkie dhe ka vetëm një person të dënuar nga gjykata me 320 mijë euro për shkelje ligji dhe ai është Edi Rama. Ndërkohë që Dumanët, Krajat dhe Millonaitë e SKAP-it të partisë, refuzojnë jo vetëm ta shohin këtë firmë, por kanë frikë dhe t’i përmendin emrin në dosje Edi Ramës.
Në kallëzimin tonë penal, të cilin pas kësaj konference do t’ua vëmë në dispozicion të gjithë mediave, prokurorët e SPAK e kanë punën të kryer dhe nuk do munden dot të fshehin asnjë emër dhe asnjë firme, pasi faktet janë flagrante dhe te pamohueshme.
Kemi kërkuar hetim penal për Edi Ramën, Anila Denajn, Karlo Bolinon, Engjëll Agaçin dhe disa zyrtarë të tjerë të lidhur me këtë procedurë antiligjore.”