Sekseri i Ilir Beqajt dorëhiqet nga detyra, bashkëshortja e tij vijon punën në SASPAC

Pasi afera e re e Ilir Beqajt doli në publik dhe SPAK urdhëroi kontrolle në banesën e tij dhe zyrat e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, Ermal Kurtulaj ka dhënë dorëheqjen nga puna, mëson Lapsi.al

Kurtulaj është personi kyç në përgjimet e SPAK del duke shpërdoruar detyrën me qëllim përfitimin e parave nga programet e BE. Kurtulaj ishte i punësuar si Koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia e drejtuar prej Ilir Beqajt. Më parë ai ka mbajtur funksione të tjera publike në institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe ka qenë drejtor në kompaninë e Ilir Beqajt, “INTECH+”.

Pasi skandali u bë publik dhe Gjykata e Posaçme miratoi kontrollet e banesave dhe sekuestrimin e telefonave e kompjuterave, Kurtulaj para disa ditësh ishte dorëhequr nga detyra që mbante në SASPAC. Por aty vijon të jetë ende në detyrë bashkëshortja e tij, e cila ishte punësuar gjithashtu në të njëjtin institucion, çka përbën në fakt një nepotizëm të hapur.

Ilir Beqaj pranoi njohjen dhe miqësinë e hershme me Kurtulaj. Vartësi i Beqajt dyshohet si personi kyç që bënte pazaret me faturat fiktive për llogari të Ilir Beqajt dhe personi që de fakto administronte restorantin “Gzona”, një biznes nga i cili ish-ministri i Shëndetësisë dhe bashkëshortja e tij ishin larguar formalisht në vitin 2020.

Sipas dosjes që Lapsi.al publikoi i pari më 29 dhjetor 2023, Ermal Kurtulaj, Ilir Beqaj, shoferi i këtij të fundit, Arben Dani, Sabian Kurtulaj, Gazmend Prenga dhe persona të tjerë, janë të dyshuar për disa akuza si: Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim. ©LAPSI.al

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *