Arlind Qori: Në Tiranë po ndërtohet në mënyrë kafshërore, ekonomi kriminale jashtë logjikës së tregut

Kryetari i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, ka folur në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për ndërtimet dhe kullat e Tiranës.

Qori tha se paratë për këto investime, të cilat nuk kanë logjikë ekonomike, vijnë nga bota e krimit të organizuar dhe përfundojnë edhe në fushatat e partive politike.

Qori tha se Tirana po ndërtohet në “mënyrë kafshërore”, duke përmendur shtatë kullat e miratuara nga Edi Rama në dhjetor 2023.

“Ne i kemi denoncuar të parët këto shtatë kulla të miratuara në dhjetor dhe kam frikë se do të mbetemi të vetmit.

Unë banoj në një pallat të ndërtuar para 10-15 vitesh dhe kam një pallat përballë. Te ai pallati përballë gjysma është pa drita, sepse është bosh. Kudo ku të shkosh gjysma ose më shumë janë bosh. Gazetarja Xama ka bërë punë shumë të mirë që i ka kuantifikuar. Apartamente të pafundme, bosh.

Po kush i blen, jo vetëm kullat por edhe apartamentet, ku edhe një ndërtesë e vjetër kushton 2 mijë e ca mijë euro metri? Edhe në kullat që kanë përfunduar mbizotëron errësira.

Përgjigja është e thjeshtë, këtu investon kapital krimi i organizuar dhe blen po ashtu krimi i organizuar. Kriminelët kryesorë investojnë, ata të vegjlit janë fuqia blerëse. Është një ekonomi e tërë kriminale, jashtë logjikës së tregut dhe kredive bankare.

Nuk është vetëm një ekonomi e tërë që mbahet prej krimit, por paratë e krimit financojnë edhe përqindjet e politikanëve, bëjnë fushatat e tyre. Do të vijnë zgjedhjet e 2025, të masë dikush sa do të përdorë para Partia Socialiste. Kush paguan për to?

Janë pikërisht këto para që shkatërrojnë ekonominë, korruptojnë shtetin. Prandaj askush nuk flet. Shtatë kulla në një mbledhje 1 orëshve janë miratuar. Të pyesim Edi Ramën edhe sa do të ndërtohen? Keni një studim, edhe sa kulla? Ai nuk ta thotë sepse është pjesë e një sistemi që nuk ka fund. Po të ishte i sinqertë do të thoshte varet nga bursa e kokainës.

Në një vend ku po ikin shqiptarët, vijon ndërtohet në mënyrë kafshërore”, tha Qori.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *