Nga Lutfi Dervishi
Ndërkohë që prokurorët specialë janë angazhuar në misionin e shenjtë për të pastruar korridoret, anekset, guzhinën dhe tualetet e politikës shqiptare, një ngjarje e padëgjuar i ndërpreu vrullin e pastrimit dhe kombi mbajti frymën pezull.
Një prokurori special i humbi celulari. Një celular i tipit Iphone nga ata që të rinjtë e sotëm e përdorin edhe për të bërë ndonjë thirrje telefonike.
Të brymosur me doktrinën juridike bashkohore, të armatosur me praktikën e Strasburgut dhe me një etje të pashuar për të vërtetën, prokurorët nuk po e merrnin veten nga goditja e madhe: si është e mundur që në shtëpinë e akuzës ku ka vetëm akuzues dhe të akuzuar të ndodhë gjëma, të “avullojë” celulari?
Dhe kur ndodhi gjëma? Në momentin më të mirë, kur besimi i publikut arriti majat e ndërtesës së shtëpisë së drejtësisë.
Një prokuror mund të humbasë një dosje, mund të humbasë edhe mendjen, mund t’i marrin edhe portofolin se njerëz jemi, por si mund të të marrin celularin?!
Reporterët e krimit, këta gjahtarë të paudhësive e mëkateve njerëzore nxituan të hedhin kripë mbi plagën e hapur.
Titujt shpotitës shpërthyen në ekranet e televizioneve.
Raportimet live nga vendngjarja bënë që njerëzit të ndalnin gjerbjen e kafesë dhe të përthithnin çdo fjalë të reporterëve që i referoheshin “burimeve të mia”
Televizionet në mbrëmje ndërprenë programet edukative dhe thirrën ushtrinë e ekspertëve për të komentuar “ngjarjen e shekullit”
Mesa di unë vetë iphone ka një opsion “më gjej” dhe mjafton një kompjuter, ose laptop, ose ipad, ose qoftë edhe një celular dhe kjo çështje zgjidhet- tha një ekspert teknologjie.
Po të ishte kjo, do të ishte gjetur ndërkohë – nxitoi të ndërhyjë moderatori i cili kishte thirrur në emision katër të ftuar që i binin fyellilt në një vrimë.
Në një televizion ku 24 orë në 24 kritikohet opozita për mosqeverisjen e vendit, komentatori i njohur më shumë si avokat me pagesë i qeverisë bëri një ndërhyrje që la pa gojë edhe vetë drejtuesin e pavarur të programit.
“Këtu duhet të kemi parasysh se prokurori po bën një shërbim të madh vendit duke bërë qilizëm në kodrën e abuzimeve, me malin e denoncimeve,… por të nderuar të kemi parasysh se edhe ai që ka mundur t’i marrë iphone prokurorit ka kryer një akt të madh. Nuk po them të mirë apo të keq se unë nuk jam Papa që lëshon verdikte, por gjesti është i pa precedent. I madh! Madhështor! Pra unë i heq kapelen prokurorit për misionin që ka ndërmarrë dhe i përkulem atij që ka arritur të shqetësojë sadopak njeriun e akuzës.
Nuk kishte ndodhur asnjëherë që dikush brenda një fjalie të ishte edhe me akuzën edhe të akuzuarin, siç i thonë të moçmit, qerratai është edhe me gjuetarin edhe me lepurin.
Ndëkohë që emisionet e mbrëmjes e kthyen iphone e humbur të prokurorit në çështje kombëtare, vetë njerëzit e akuzës, në përputhje të plotë me këshillën e vjetër: “i zoti e nxjerr gomarin nga balta”, u hodhën në veprim.
Brenda 1 minuti morën një letër nga gjykatësja për sekuestrimin e celularit të një gazetari. Gjykatësja i kërkoi ndjesë prokurorit për vonesën prej 60 sekondash.
Celulari i sekuestruar i gazetarit bëri të mundur që prokurorët të gjenin me shpejtësi rrëmbyesin e iphone. Nga komunikimet mes gazetarëve hetuesit e kuptuan se prokurori e kishte humbur celularin gjatë kryerjes së detyrës..
Në një ditë rutinë të prokurorit, gjatë një seance të gjatë pyetjesh me një zyrtar të lartë ky i fundit jo vetëm që kundershtoi akuzën per vjedhje të fondeve publike, por i shtyrë nga motive të pa shpjegueshme arriti t’i marrë iphon-in prokurorit
Nga komunikimet në celularin e sekuestruar të gazetarit, prokurorit i mbeti në mendje një fjali.. “Këta janë mjeshtra, vjedhin edhe prokurorin”