Kush ka ngrënë dardha pas shpinës time, ka punë me drejtësinë!” Kështu shprehej pak kohë më parë kryeministri Edi Rama, teksa prej vitesh shikonte bashkëpunëtorët e tij më të afërt që paraqiteshin në dyert e SPAK fillimisht, ndërsa më pas transferoheshin në qelitë e burgut.
Saimir Tahiri, Lefter Koka, Vangjush Dako, Arben Ahmetaj dhe tashmë Ilir Beqaj, janë disa nga njerëzit më të besuar të kryeministrit, të cilët janë përballur dhe vijojnë të përballen me drejtësinë, pasi “mbushën trastat” pas shpinës së kreut të qeverisë.
Por është një ish-ministre, e cila po mbrohet me fanatizëm nga ish-kryeministri, aq sa e ka detyruar Ramën dhe Kuvendin të shkelë edhe rregulloret.
Bëhet fjalë për ish-ministren e Jashtme dhe më pas të Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mandati i së cilës duhej dërguar para 1 viti në Gjykatën Kushtetuese për t’u shqyrtuar, por kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e ka futur dosjen në një sirtar dhe nuk dihet se kur ka ndërmend ta marrë.
Mandati i deputetes Olta Xhaçka duhet shqyrtuar në Kushtetuese, pasi në kohën kur ajo mbante postin e Ministres së Jashtme, bashkëshorti i saj Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.
Një konflikt i hapur interesi, por që nuk e shqetësoi as kryeministrin Rama që të hidhte firmën dhe t’i jepte ministres së tij një shpërblim të mirë, ndonëse në kundërshtim me ligjin. Gjykata Kushtetuese është ende në pritje të Kuvendit, ndërkohë që kjo dosje nuk do të dalë nga sirtari të paktën deri në fund të shkurtit.
Në draftprogramin e publikuar nga Kuvendi, nuk është i përfshirë vendimi për Xhaçkën në asnjë seancë plenare, çfarë do të thotë se mazhoranca do të vijojë ta mbajë në “gjirin” e saj Olta Xhaçkën, për të mos i dhënë mundësi drejtësisë të veprojë mbi një nga ministret e përfshira në shumë skandale.
Por konflikti i interesit për statusin e investitorit strategjik nuk duket të jetë i vetmi problem për ish-ministren Xhaçka. SPAK i ka sekuestruar bashkëshortit të saj truallin me të cilin ai fitoi statusin e investitorit strategjik dhe e ka marrë atë të pandehur, pasi e akuzon për tjetërsim prone.
Në kallëzimin e bërë nga Fredi Beleri është edhe emri i Olta Xhaçkës, së bashku me ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Ndërkohë, një tjetër çështje është në SPAK për Olta Xhaçkën dhe ka të bëjë me tjetërsimin e pronave të ushtrisë në kohën kur deputetja socialiste ishte Ministre e Mbrojtjes.
Janë disa çështje që e bëjnë Olta Xhaçkën një nga ministret më të akuzuara dhe të përfshira në skandale, por me sa duket, shprehja e Ramës për dardhat nuk vlen në këtë rast, pasi kryeministri duket sikur ia ka dhënë vetë “trastën” Xhaçkës , teksa e ruan edhe nga pronari i “pemës”.