Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shprehet se të gjithë janë të shqetësuar për shpopullimin e Shqipërisë, përveç se qeverisë.
Ai i është referuar raportit të EUROSTAT, ku shkruan se në dekadën e fundit rreth 1 mln shqiptarë kanë braktisur vendin dhe kanë krijuar jetën e tyre në vendet e BE-së, Britanisë ose Kanadasë.
REAGIMI
Të gjithë të shqetësuar për shpopullimin e Shqipërisë veç qeverisë.
Sipas shifrave të EUROSTAT dhe jo institucioneve shqiptare, në dekadën e fundit janë rreth 1 milionë shqiptarë që kanë braktisur vendin për të krijuar jetën e tyre në vendet e BE apo Britani, SHBA e Kanada. Të gjithë janë shqetësuar nga ky fenomen përveç qeverisë.
Sektori privat ka qenë avangard në rritje e pagave ( jo në masën e nevojshme por më mirë së shteti). Kanë investuar në trajnimin e stafeve të tyre. Por vetëm përpjekja e tyre nuk e ka frenuar shpopullimin të stimuluar nga politimat e qeverisë.
Së fundmi shqetësimin e shpopullimit dhe plakjes së popullsisë shqiptare e ka ngritur edhe menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë. “Duhet të përqendrohemi të gjithë (dhe me vendosmëri dhe shpejtësi) në forcimin e kapitalit njerëzor dhe të sigurohemi që ai të mirëpërdoret”, thotë Salinas në një reagim për median Shqiptare.
Të njëjtën gjë ngre si shqetësim edhe drejtoresha e BERZH: “Një çështje tjetër e ngutshme me të cilën po përballet vendi është mungesa e forcës së punës, për shkak të emigrimit të lartë dhe rënies së popullsisë. Në sondazhet e bëra nga Këshilli i Investimeve (i cili mbështetet nga BERZH) dhe shoqata të ndryshme të tjera, bizneset vazhdojnë të raportojnë mungesat e stafit të kualifikuar lokal, si një nga pengesat më të mëdha për rritjen” shprehet Ekaterina Solovova, kreu për Shqipërinë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qeveria shqiptare ka qendruar e verbër dhe e shurdhët përball këtyre fakteve. Madje ka bërë të kundërtën e atyre që duhet te bënte.