Ish presidenti Trump fiton thellë në zgjedhjet paraprake në shtetin e parë

Ish-presidenti Donald Trump, fitoi thellë në zgjedhjet paraprake në shtetin e Ajovas, shteti i parë që çel garën brenda partive, për emërimin e kandidatit presidencial. Zoti Trump siguroi më shumë se gjysmën e votave, rreth 51 për qind, ndërsa guvernatori i Floridës Ron DeSantis u rendit i dyti me 21 për qind dhe ish-ambasadorja në OKB, Nikki Haley, mënjeherë pas tij me 19 për qind. Pas fitores, zoti Trump, bëri thirrje për bashkim të kombit.

Siç njofton nga qyteti Des Moines, në Ajova, korrespodenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, moti i ftohtë që goditi këtë shtet, ndikoi në uljen e pjesëmarrjes në këtë proces.

I ftohti ekstrem nuk e pengoi Sarka Moore që të merrte pjesë në një nga takimet e fundit të fushatës së ish presidentit Donald Trump në kuadër të zgjedhjeve paraprake.

Nuk e pengoi as që të vinte dhe të bëhej pjesë e procesit të votimit.

“Jam shumë e emocionuar. Kjo është hera e parë që marr pjesë në këtë proces”, tha Sarka Moore, votuese në qytetin Indianola, Ajova.

Duke qenë se kjo ishte hera e parë që votonte në zgjedhjet paraprake, zonja Moore, emigrante nga Republika Çeke, kaloi kohë duke hulumtuar se si funksiononte procesi, e motivuar për të mbështetur ish presidentin Trump.

“Më pëlqejnë politikat e tij. Gjatë administratës së tij, çdo gjë ishte shumë mirë. Nuk kishte luftë. Ekonomia funksiononte shumë mirë. Dhe kufijtë nuk ishin të hapur, diçka që më shqetëson shumë”, tha ajo.

“Dua të falenderoj njerëzit e mrekullueshëm të Ajovas. Faleminderit. Ju dua të gjithëve. Mendoj se tani është koha të bëhemi bashkë, që ky komb të bashkohet. Dua që të bëhemi të gjithë bashkë, pavarësisht nëse jeni republikanë, demokratë, liberalë apo konservatorë. Do të ishte mirë të bëhemi bashkë për të përmirësuar botën, për të zgjidhur problemet dhe për të gjetur rrugëdalje për vdekjet dhe shkatërrimin me të cilin po përballemi,” tha Donald Trump, ish president i Shteteve të Bashkuara

Mbështetësit e zotit Trump, u përballën me të ftohtin dhe akullin që ka përfshirë vendin, për t’i siguruar atij fitoren, një fitore me një epërsi të thellë ndaj rivalëve të tjerë.

“Pjesëmarrja është e mirë”, tha Jan Goode votuese në qytetin Ankeny, Ajova.

Jan Goode hodhi votën e saj në një nga qendrat e grumbullimit të republikanëve, në shkollën e mesme të një lagjeje në qytetit Ankeny.

“Ata që ishin plotësisht të vendosur, do të dilnin për të votuar. Njoh disa mbështetës, në moshë, të cilët vendosën të mos vinë, për shkak të motit të keq,” tha ajo.

Zonja Goode votoi për guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, i cili siguroi fitoren në këtë qendër.

“Ne po përkrahim bindjet tona. Zoti DeSantis pasqyron atë që unë besoj. Unë vazhdoj ta vlerësoj zotin Trump, atë që ka bërë, dhe mënyrën se si. E vlerësoj për atë që ka qenë asokohe. Fatkeqësisht, atë e përndjek kaosi,” shtoi ajo.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *