Liria për të protestuar, mazhoranca mban peng prej 3 vitesh vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që lejonte zhvillimin e protestave dhe tubimeve pa marrë leje nga Policia e Shtetit, por vetëm duke i njoftuar, ishte një lajm i mirë për të gjithë qytetarët, që do të kishin mundësi të protestonin pa patur frikën e përndjekjes policore.

Vendimi është marrë nga Kushtetuesja në 4 Maj të vitit 2021, por ende sot, rreth 3 vite më pas, Kuvendi vijon ta mbajë në sirtar, duke mos e miratuar dhe duke penguar qytetarët të shprehin pakënaqësitë e tyre nëpërmjet protestave.

Pas vendimit, Kuvendit iu la 6 muaj kohë për të rishkruar nenin që detyronte qytetarët të merrnin leje për tubimet, por afati është shkelur disa herë, duke u injoruar totalisht Gjykata Kushtetuese, ashtu siç po ndodh edhe me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, që qëndron prej 1 viti në sirtarin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës.

Përse Kuvendi mban peng lirinë e qytetarëve për të protestuar?

Në një kohë kur pakënaqësia e popullit shqiptar është rritur për shkak të rritjes së varfërisë dhe papunësisë, shoqëruar edhe me skandalet e njëpasnjëshme ku ministrat dalin se kanë vjedhur qindra miliona euro nga xhepat e qytetarëve, protestat duket se janë e vetmja mënyrë për të kundërshtuar një mazhorancë që ka në dorë pothuajse të gjitha pushtetet.

Miratimi i këtij vendimi do t’i lehtësonte akoma edhe më shumë punë opozitës, që ka paralajmëruar protesta në të gjithë vendin. Protesta e studentëve disa vite më parë “tronditi” qeverinë, e cila për fatin e keq të studentëve ia doli t’i përçajë dhe të mos iu plotësojë të gjitha kushtet që ata kishin vendosur.

Ndaj, duke parë ato çfarë kanë ndodhur në të kaluarën dhe rritjes së pakënaqësisë së popullit, për mazhorancën e vetmja rrugë duket të jetë ajo e frikësimit të qytetarëve, herë me polici e herë me heqje nga puna.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *