FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ
EKSTRAKT
Ka vijuar sërish mbrëmjen e sotme tubimi poshtë banesës së Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ku një numër i madh qytetarësh, midis tyre intelektualë, studentë dhe të tjerë u mblodhën në rrugicën e pagëzuar tashmë si “Rruga e Shpresës”, duke mbajtur fjalimet e tyre dhe duke protestuar për vendimin e padrejtë të arrestimit të liderit demokrat pa prova dhe fakte nga regjimi.
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, pasi përshëndeti qytetarët që tubojnë prej më shumë se dy javësh tek “Rruga e Shpresës”, tha se, Edi Rama emëron opozitën e tij dhe cakton në krye të komisionit një Gjiknuri bis, me mbiemër Alibasha, ndërsa 50 deputetë të opozitës përjashtohen. Berisha tha se, Shqipëria është sot delja e zezë e zgjedhjeve në Ballkan dhe Europë.
Berisha tha gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës se, dje u paraqitën nga avokatët prova përvëluese të cilat u dëshmonin skapistëve se ata janë veglat e Edi Ramës.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, me aktin e fundit, Edi Rama u faktoi shqiptarëve se Sali Berisha nuk po hetohet për korrupsion, por sepse është një luftëtar i antikorrupsionit. Ai tha se, Sali Berisha dhe këta burra e gra, janë sot më të vendosur se kurrë të të japin përgjigjen që meriton.
Berisha tha se, t’i kushtosh emisione televizive jo qëndresës heroike të opozitarëve, por të përpiqesh të paraqitesh si i turpëruar, tregon se je vegël e mjerë e diktaturës. Berisha tha se, Komiteti i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, damkosi SKAP-in politik të Edi Ramës.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Edhe njëherë ju falënderoj dhe përulem me mirënjohje të pakufijshme para jush, qendresës, rezistencës tuaj në këtë betejë pa kthim kundër narkodiktaturës, regjimit të bandës, krimit, korrupsionit, që çdo ditë del në pah si një regjim pa ligje, pa moral, si një regjim grabitqar, si një regjim shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Të dashur miq!
Në rast se ndalemi në zhvillimet e 48 orëve të fundit, ato janë zhvillime tipike të një diktature pa ligje, pa moral, pa kushtetutë. Janë zhvillime të cilat përbëjnë një thirrje për çdo shqiptar, të ngrihemi për të marrë në duar fatin tonë dhe të vendit tonë. Shqipëria është sot delja e zezë e zgjedhjeve të dhunuara në Ballkan dhe në Europë. Shqipëria është sot vendi në të cilin krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim.
Dhe megjithatë ju e shihni në 48 orët e fundit, Edi Rama me peng-Bravën po bëjnë gjithçka për të bërë pseudoreformën, me të cilën Edi Rama ëndërron të marrë mandatin e katërt në Shqipëri.
Nuk ka figurë më të shëmtuar, më qesharake, por njëkohësisht edhe tragjike kur sheh se si, Edi Rama emëron opozitën e tij dhe cakton në krye të komisionit një Gjiknur bis, me mbiemër Alibasha, për ta servirur këtë si një reformë. Ndërkohë që, 50 deputetë tuaj, përfaqësues të popullit opozitar përjashtohen dhe thirren të pranojnë bashkëkryetar, bashkëpunëtorin më të ngushtë të peng-Bravës, Alibashën.
Kjo është një thirrje për çdo shqiptar që beson tek vota e lirë, që beson se duhet të votojë i lirë të ngrihet dhe të bashkohet me ne, në këtë betejë pa kthim.
O sot o kurrë për votën e lirë.
Miqtë e mi!
Po në 24 orët e fundit, Edi Rama me SKAP-in e tij, me larot e tij, vendos të tregojë para shqiptarëve se ka krijuar mekanizmin e përjashtimit nga parlamenti të çdo deputeti pavarësisht i mazhorancës apo opozitës, për të përfaqësuar në parlament qytetarët që e kanë votuar përsa kohë që ka mandatin. Por ata nuk kanë ligj, nuk kanë moral, janë të korruptuar nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale, qeveri.
Miqtë e mi!
Dje u paraqitën nga avoketërit prova përvëluese të cilat u dëshmonin larove të Edi Ramës, skapistëve, grupit të strukturuar kriminal se ata janë nën urdhrat e Edi Ramës, se ata janë veglat e Edi Ramës. Ata janë vegla të Edi Ramës ndaj dhe këto prova refuzuan t’i merrnin njëlloj sikur të ishin reparti i sigurimit të shtetit.
Miq!
Denonconi çdo orë, çdo ditë Edi Ramën si kreun e organizatës kriminale qeveri, dhe skapin e tij si një organizatë kriminale.
Me aktin e fundit, Edi Rama u provoi shqiptarëve se Sali Berisha nuk po hetohet për korrupsion, por po hetohet se luftoi dhe lufton korrupsionin.
Me aktin e fundit, me tmerrin që ka nga mandati i Sali Berishës, Edi Rama dëshmoi se Sali Berisha po luftohet politikisht, sepse ai ka denoncuar të gjitha vjedhjet personale, familjare, qeveritare të Edi Ramës dhe larove të tij. Me aktin e fundit, Edi Rama faktoi se Sali Berisha nuk po hetohet për korrupsion, por për antikorrupsionin e tij, sepse ai denoncoi para shqiptarëve dhe botës, tradhëtinë e tij kombëtare ndaj Kosovës.
Denoncoi projektet e tij të përbashkëta me Aleksandër Vuçiç.
Denoncoi Jugosllavinë e re, Ballkanin e Hapur.
Denoncoi çdo akt të tij, me të cilin përpiqej që hegjemonia serbe dhe influenca ruse të mbizotëronte në rajon dhe Shqipëri.
Miqtë e mi!
Me këtë akt Edi Rama faktoi edhe njëherë se beteja e Sali Berishës nuk është me drejtësinë, përkundrazi kjo betejë dhëmb për dhëmb është me Edi Ramën dhe drejtësinë e korruptuar, është me narkoshtetin, lidhet e tij me krimin. Ndaj dhe i them Edi Ramës, se mandati im nuk u var dot as nga etërit e tu, xhelatë të shqiptarëve. Sepse kur ata bënin thirrje për tanke, ne zvarrisnim rrugëve të Tiranës, shtatoren e Enver Hoxhës, ndërsa ti ja mbathje në Zallherr nëpër bunkere për të shpëtuar lëkurën tënde.
Edi Rama, je i pashpresë!
Sali Berisha dhe këta burra e gra, janë sot më të vendosur se kurrë të të japin përgjigjen që meriton.
Të dashur miq!
Dje, Komiteti i të Drejtave të Njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara damkosi SKAP-in politik të Edi Ramës. E urdhëroi pezullimin e të gjitha masave të marra ndaj gazetarit guximtar, Elton Qyno i cili u rrëmbye nga skapistë banditë vetëm e vetëm se në arkivën e dosjeve të tij, ishte dosja e krimeve të Edi Ramës. Bisedat telefonike të pafundme me SKY ECC dhe Encrochat me banditë në Shqipëri dhe Europë.
Vetëm e vetëm se në arkivën e tij ndodhej dosja e Taulant Ballës, këtij eksponenti të krimit të organizuar në Shqipëri dhe Ballkan. Ne dosjen e tij ndodheshin bisedat e gjykatësve dhe prokurorëve të lidhur këmbë e krye me krimin.
Por edhe disa netë më parë e kam denoncuar dhe sonte me dhimbje e denoncoj. Nëse për gazetarin guximtar Elton Qyno, u mblodh forumi më i lartë botëror për të drejtat e njeriut, foli dhe vendosi me emergjencë, këtu në vendin e narkodiktaturës, përveç se një organizate të gazetarëve të gjitha të tjerat heshtën për krimin e tyre.
Miqtë e mi!
Në tërësi të gjitha studiot televizive me ndonjë përjashtim të vogël e quajtën të paarsyeshme, t’i kushtonin aktit primitiv të rrëmbimit të kolegut të tyre një debat, një emision, apo diçka të kësaj natyre.
I ndiqja mbrëmë. Përsëri censuruan lajmin. 90% e tyre merreshin, do t’i marr hua një fjalë një gazetari të njohur, merreshin se sa keq po qeveris opozita. Për ta qeveria nuk ekziston. Banalistë, lakej, servilë. Ndjeheshin të turpëruar, sepse deputetë të opozitës në mosbindje civile, grumbullojnë karrige në parlament, apo shkulin mikrofona.
U bëj thirrje, kujtohuni edhe njëherë se çfarë pozicioni keni marrë.
Ky është pozicion turpi. Ti kushtosh emisione televizive jo qëndresës heroike të opozitarëve, por të përpiqesh të paraqitesh si i turpëruar me aktet e tyre të guximshme, tregon se je një vegël e mjerë e diktaturës, se je i skllavëruar. Kjo ndodhi. Ndaj dhe qytetarë ktheni kokën kur shihni skena të tilla. I përçmoni me kthimin e kokës.
U bëj thirrje gazetarëve, analistëve, të qëndrojnë për vlerat, të qendrojnë në misionin e tyre. Të mos harrojnë se misioni i tyre është frymëzim, se mision i tyre është e vërteta.
Mjaft më me moton: Sa keq po qeveris opozita.
Turp, turp, turp!
Miqtë e mi!
Kjo betejë ka futur në kaos narkoditaturën. Kjo betejë ka jehonë të fuqishme. Kjo betejë është beteja e kthesës së madhe historike të shqiptarëve. Ndaj dhe unë sot ftoj demokratët, demokratet kudo që ajnë të ngrihen në një kthesë të fuqishme të marrin përgjegjësinë historike para ndërgjegjes së tyre, apra familjes dhe vendit të tyre.
Ftoj qytetarët të ngriheni në këtë betejë, sepse Shqipëria para syve tanë po shkatërrohet, po largohet, po shpërbëhet nga një armik emrin e të cilit lakejtë e tij janë të zemëruar pse e përmendim kaq shumë.
Ua them këtu se do ta përmendim, derisa ta kërrejmë nga pushteti, derisa ta përmbysim atë. Po ju që u thoni Edi Rama dhe pse vetëm Edi Rama, u them sonte këtu se Edi Rama është diktatori, se Edi Rama ka të gjitha pushtetet në dorë, se Edi Rama është kryehajduti i kombit, se Edi Rama është kryearmiku i kombit, se Edi Rama përgjysmoi Shqipërinë.
Çfarë jeni ju që shtroni këtë pyetje. Jeni shqiptarë, apo çfarë jeni ju?
E shihni ju, apo keni frikë ta shihni të vërtetën?!
Ndaj dhe të vazhdojmë betejën, se me betejën tonë do të ju japim guxim, do t’iu ndriçojmë mendjen edhe atyre të cilët nga ndrydhja gabojnë. Ne duhet të jemi bashkë, opozitë dhe media kundër diktaturës. Sot, në qoftë se nuk je me opozitën je me diktaturën, je me të keqen, je me shkatërrimin.
Sot indiferenca jote është mbështetje e diktaturës! Sot e ashtuquajtura asnjanësi është mbështetje për diktaturën. Sot heshtja jote është mbështetje për të keqen e madhe që ka kapluar Shqipërinë.
Lejini teorirat, dilni nga lëvozhgat. Bashkohuni me opozitën.
Nuk ka opozitë të përsosur, nuk ka lëvizje pa kthim të përsosur, por janë shpëtimtare, janë shpresa, janë fitorja, janë e ardhmja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.
Duke përfunduar, një apel, një thirrje nga zemra për të rinjtë e këtij vendi. Bashkohuni me opozitën, bashkohuni të shpëtojmë vendin. Se nga ky bashkim, ju do të jeni fitimtarët më të mëdhenj. Nga ky bashkim ju do të jeni fytyra e vërtetë, e fitores dhe Shqipërisë së fituar. Nga ky bashkim ju riktheni Shqipërinë në rrugë normale, riktheni Shqipërinë në rrugën e integrimit Europian. Mos prisni askënd që të realizojë ëndrrat tuaja. Ëndrrat tuaja ju do ti realizoni ju vetë, me mençurinë, guximin, vullnetin tuaj.
Edhe njëherë mirënjohje të pakufijshme.
Rrofshi ju, rroftë opozita, rroftë Shqipëria!
Edi Rama, jo në Surrel, por edhe mbrapa Dajtit, dhe në malin me Gropa, dhe në Bizë dhe Martanesh po të fshihesh, do të të gjejmë. Fundi yt është i pashmangshëm.
Fitore, fitore, fitore!