“Shqipëria vendi më i varfër në Rajon”/ Meta: Kosto po rritet çdo ditë. Ja si po zhvaten qytetarët nga qeveria dhe oligarkët e saj !

0
153

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka theksuar se problem më i madh i qytetarëve mbetet varfëria në vend. Duke sjellë shembuj dhe fakte, Meta e krahasoi situatën në vend me shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut.

“Çmimet e ushqimeve të shportës, pra produktet bazike të konsumit dhe jo vetëm, janë shumë më të larta krahasuar, jo vetëm me fqinjët, por edhe me vendet e Bashkimit Europian. Ndonëse pagat dhe pensionet në vendin tonë janë disa herë më të ulta, – theksoi Ilir Meta.

Deklarata:

Çmimet e ushqimeve të shportës, pra produktet bazike të konsumit dhe jo vetëm, janë shumë më të larta krahasuar, jo vetëm me fqinjët, por edhe me vendet e Bashkimit Europian. Ndonëse pagat dhe pensionet në vendin tonë janë disa herë më të ulta.

Vetëm në muajin dhjetor produktet ushqimore u rritën me 6.7%, duke i rënduar edhe më shumë kostot familjare, veçanërisht të shtresave më në nevojë dhe të atyre që mbijetojnë me ndihmë ekonomike.

Sqetësues është fakti që brenda grupit të ushqimeve, çmimet e zarzavateve janë rritur me nivele dyshifrore në 20,8 %, ndjekur nga frutat me 10,9 %, qumështi, djathi dhe vezët me 6,7 %, mishi me 5,5 % etj

Rritja e çmimeve në këto nivele nuk ka shqetësuar Qeverinë e cila nuk ka marrë asnjë masë zbutëse ndaj rritjes së kostos së jetesës te grupet sociale më të prekura, si pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike apo grupet e tjera shoqërore në nevojë.

Sipas NUMBEO, kosto e jetesës në Shqipëri është sot 17.5% më e lartë se në Maqedoninë e Veriut dhe 27% më e lartë se në Kosovë. Ndërkohë që paga mesatare tek ne është më e ulët sesa në këto dy vende.

Për të kuptuar se sa shqiptarët zhvaten çdo ditë nga Qeveria dhe oligarkët e saj, që kanë monopolizuar çdo sektor, po sjell një krahasim të thjeshtë të disa çmime produktesh në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut:

Çmimi i karburantit në Shqipëri është 41% më i shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut dhe pse ne jemi një vend prodhues nafte.

Çmimet e zarzavateve janë 25-30% më shtrenjtë, ndërsa të frutave 40-50% më shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut.

Çmimi i mishit është në Shqipëri 10% më i shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut.

Çmimi i vezëve në Shqipëri është 56% më i shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut.

Një Qeveri e përgjegjshme do të duhej të reagonte menjëherë, ashtu siç pritet të ndodhë në Greqi ku Qeveria ka marrë masa serioze dhe të prekshme për të ulur çmimet e ushqimeve.

Masat e reja që pritet të votohen këtë javë në Greqi do të konsistojnë në korrigjimin nga kompanitë të listës së tyre të çmimeve.

Çmimet para dhe pas shkurtimeve do të publikohen me qëllim që të sigurohet një transparencë e masave të marra.

Siç njoftojnë mediat greke, Qeveria do të marrë masa për uljen e çmimeve duke vendosur një kufi të marzhit të fitimit dhe do të shtohen inspektimet në terren për të parandaluar përfitimet e padrejta nga rritja e çmimeve në kurriz të qytetarëve.

Varfërimi i çdo familjeje shqiptare dhe përqëndrimi i ekonomisë përmes oligarkisë ka qenë dhe mbetet për fat të keq qëllimi i vetëm ekonomik i Qeverisë.

Rënia e EUROS

Zhvlerësimi i Euros vijon të mbetet një problematikë madhore për ekonominë shqiptare, kryesisht për bizneset eksportuese, por edhe për të gjithë ato familje dhe individë, të cilët të ardhurat i kanë në euro dhe kryesisht nga remitancat.

Gjatë vitit 2023, eksportet ranë në 9.5%, një tkurrje më e madhe se sa dhe pandemia për shkak të zhvlerësimit të euros. Sipas Konfindustrisë rrezikohen të mbyllen 40 mije vende pune dhe 740 biznese. 3000 vende pune janë mbyllur që nga 4 Janari, një sinjal i fortë alarmi për veshin e shurdhër të Qeverisë.

Pastrimi i Parave

Ndërkohë, në raportin e fundit të vlerësimit për ekonominë shqiptare FMN tha alarmin se “Mbiçmimi i shpejtë i lekut që nga viti i kaluar nuk shpjegohet plotësisht nga bazat ekonomike duke shtuar rrezikun e një kthimi të papritur”.

Në fakt shpjegimi i vetëm dhe i qartë është nxitja dhe përfshirja e vetë Qeverisë në procesin e pastrimit të parave të pista të krimit dhe korrupsionit, siç konstatohet lehtësisht në Tiranë ku vazhdojnë të jepen me dhjetëra leje ndërtimi për kulla shumëkateshe, që nuk banohen nga askush. Po aq shqetësues mbetet parashikimi i FMN-së, për një rrezik të përmbysjes të menjëhershme të vlerës së EUROS, duke rrezikuar stabilitetin e brishtë ekonomik të vendit.

Sektori i ndërtimit është sektori i preferuar i pastrimit të parave të pista të krimit dhe të korrupsionit dhe kjo u konfirmua edhe nga investigimi më i fundit në media sipas të cilit në Tiranë janë mbi 51.000 apartamente të pabanuara, ndërkohë që çmimet për m2 dhe kullat shtohen vlme ritme të jashtëzakonshme.

Humbja e kapitalit njerezor

Shpopullimi vijon të mbetet një nga plagët më të mëdha nga “Rilindja” dhe qeveria Rama i ka shkaktuar vendit dhe një nga arsyet pse ende po mbahen të fshehta rezultatet e Censusit.

Ndaj me të drejtë edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe BERZH kanë dhënë alarmin se “shqetësimi kryesor duhet të jetë rreziku i humbjes së kapitalit njerëzor të Shqipërisë”

Rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike dhe po dikton rritjen e mëtejshme të moshës së daljes në pension.

Frenimi i emigracionit duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale, nëpërmjet tërheqjes së më shumë Investimeve të Huaja Direkte në sektorë prodhues dhe shërbimesh me punë më produktive dhe me pagë më të mirë, duke krijuar më shumë mundësi pune për gratë, të rinjtë dhe njerëzit me disavantazhe, si dhe të përmirësojë cilësinë e arsimit.

Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Po dëmtohet e ardhmja e gjithë kombit dhe ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të frenuar largimin e shqiptarëve dhe të rinjve. Sepse Të rinjtë e Shqipërisë meritojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Dhe së fundmi por jo për nga rëndësia, dua t’i rikthehem dhe një herë kallëzimit të Partisë së Lirisë mbi thellimin e abuzimit me inceneratorin që nuk ekziston në Tiranë.

Kompania e inceneratorit me lejen e Bashkisë së Tiranës ka kryer ndërtim pa leje në një hapësirë prej 15 hektarësh dhe deri më tani, kur bëhet një muaj kohë nga ky kallëzim asnjë nga institucionet shtetërore nuk ka reaguar.

Me këtë rast i bëj thirrje Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit që ka në funksion të drejtpërdrejtë mbrojtjen e territorit që të mos bëhet palë me këtë aferë korruptive por të zbatojë me paanësi ligjin, siç veprohet ndaj mijëra qytetarëve të thjeshtë hallexhinj që ndalohen në komisariate dhe kallëzohen penalisht edhe për një kotec pulash apo për një dritare pa leje apo për një rregullim çatie ku i pikon shiu.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here