Berisha publikon fjalimin e aktorit Mehdi Malkaj: Kur Rama telefonon në SPAK, të gjithë shkojnë në tualet

Kryetari i opozitës shqiptare, Sali Berisha, publikoi fjalimin e aktorit të mirënjohur, Mehdi Malkaj, mbajtur në Rrugën e Shpresës gjatë tubimit të mbrëmshëm.

“Faleminderit Doktor

Ju falënderoj të gjithëve këtu për dashurinë që derdhet tek mua. Dua që të falenderoj në mënyrë të veçantë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit. Ne jemi në vitin e shtatë të protestës, ne të Aleancës.

Unë mund t’i ngatërroj gjërat, po një strukturë shtetërore ka nja dy-tre gjëra. Ka dy princesha për shembull, njëra që është liria, që po mungoi liria nuk mund të ekzistojë shteti, dhe e dyta është demokracia. Ata që kanë ndërtuar shtetin e vërtetë, këtyre të dyjave u kanë venë një zonjë të fortë për t’i mbrojtur, që është drejtësia.

Çfarë është drejtësia tek ne?

Për mua, po marr fjala vjen këtë SPAK-un, që kur e merr në telefon kryeministri (Edi Rama), të tërë shkojnë në tualet. Zonja e zotërinj në periudhën e Henrit të 8 të Anglisë, i cili ishte goxha mbret i egër, ai kishte një person që quhej Tomas Mul, që ishte kryetari i Gjykatës Kushtetuese të asaj kohës dhe ai i dha një ditë parlamentit të drejtë dhe jo Henrit të 8-të. Mbreti e thirri në audiencë dhe i thotë: Më thuaj parametrin tënd për drejtësinë dhe ky i thotë: Madhëri, unë kam një baba që e dua shumë, se babai im ka sakrifikuar për mua, më ka shkolluar, më ka edukuar dhe më ka bërë ky që jam. Babai im ju ka shërbyer dhe juve Shkëlqesi. Babai im, që ju ka shërbyer juve, është një burrë i mirë. Dhe Henri i thotë: Ej, të kam thirru këtu për parametrin tënd për drejtësinë.

Atë po bëj Shkëlqesi, i tha ai. Unë kam një baba që e dua shumë, por sikur ky babai që unë e dua shumë të jetë në gjyq me djallin, edhe djalli të ketë të drejtë, unë i jap të drejtë djallit.

E kjo është drejtësia. Kjo është drejtësia miq të dashur, të tjerat janë fjalë.

Myslimanë e të krishterë, jemi keq të ngrihemi që të tërë djem e pleq.

Kam edhe një gjë. Mos iu bini në qafë studentëve. Fajin e kanë baballarët sepse babai i thotë: mos shko atje se mua më pushojnë nga puna. Ky është thelbi i gjithë muhabetit, këta patronazhistat që bëjnë poshtë e përpjetë dhe këtu ka sigurisht, që ka,” tha Malkaj.

Share it :