Miratimi të enjten (18.01.) i buxhetit të shtetit, nga Komisioni i Buxhetit i Bundestagut i dha fund krizës buxhetore në Gjermani. Tani është vetëm hap formal miratimi i buxhetit nga i gjithë Bundestagu Gjerman, më e vonta në fillim të shkurtit. Buxheti i ri i shtetit ka një vëllim 476,8 miliardë euro. Borxhet e reja kufizohen në 39 miliardë euro, shumë që respekton frenën kushtetuese të borxhit (0,35% e PBB).
Kompromisi i arritur lehtëson planifikimet e kompanive për vitin e ri. Me të, Gjermania lë pas vetes një krizë të shkaktuar nga mosrespektimi i kushtetutës. Pasi kriza buxhetore gjermane nuk u shkaktua, sepse qeverisë gjermane i mungonin vërtet paratë. Por sepse qeveria i kishte bërë planet fillestare buxhetore për këtë vit mbështetur në para, që nuk lejohej t’i përdorte: në kredi të marra për pandeminë e Covid-19, të cilat nuk qenë shfrytëzuar.
Konsumatorët i presin çmime më të larta
Por në 15 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese Federale gjermane gjykoi se ndryshimi i destinacionit të kredive ishte antikushtetues. Kjo e tronditi qeverinë tripartiake dhe Gjermaninë. Për buxhetin e 2024-ës tani mungonin 17 miliardë euro, të paracaktuara (e të premtuara) nga tri partitë për objektiva përkatëse kombëtare.
Buxheti i ri parashikon disa masa financiare që pritet të sjellin më shumë para në arkën e shtetit. Konsumatorët i presin ndër të tjera çmime më të larta për biletat e avionit, ku do të rritet taksa. Si dhe çmime më të larta për ngrohjen, për gazin dhe karburantin, pasi do të rritet çmimi i dioksidit të karbonit.
Protesta të reja të fermerëve në prag
Por disa organizata fermerësh janë shprehur të zhgënjyer nga buxheti i miratuar në Komisionin parlamentar të Buxhetit. “Fermerët tanë janë të zhgënjyer që nuk janë dëgjuar” deklaroi presidenti i Shoqatës së Fermerëve, Joachim Rukwied, dhe paralajmëroi protesta të reja “përsëri nga java tjetër”.
Fermerët janë të pakënaqur, sepse me buxhetin e ri qeveria iu përmbajt shkurtimeve të subvencioneve edhe për ta, megjithë kërkesat e fermerëve për t’i tërhequr krejt shkurtimet. Ata duan që qeveria të lërë gjithçka si deri tani dhe t’u kthejë fshatarëve 21,48 cent për litër naftë.
Si kontekst: pas vendimit të Kushtetueses dhe vështirësive buxhetore pasuese të krijuara, qeveria gjermane tha se do të vendosë një taksë për automjetet bujqësore. Më tej ajo vendosi t’i japë fund lehtësimit tatimor për naftën bujqësore. Kjo shkaktoi protesta të fermerëve në mes të dhjetorit.
Fermerët bllokuan me traktorë, akset kryesore rrugore të disa qyteteve gjermane dhe të Berlinit. Qeveria hoqi dorë atëherë nga taksa për automjetet bujqësore, dhe e zbuti masën e dytë. Berlini vendosi që lehtësimi tatimor aktual për naftën bujqësore të mos eleminohet menjëherë, por gradualisht, deri në vitin 2026.
Por zbutja e masës nuk i zbuti aspak fermerët. Në 8 janar ata shpallën një “javë veprimi”. Mijëra fermerë bllokuan me traktorë autostradat dhe mbajtën manifestime në të gjithë Gjermaninë. Në manifestimin më të madh, në Berlin, morën pjesë sipas policisë, 8500 vetë, ndërsa sipas organizatorëve 30.000 vetë./ DW