Ku “dergjen” sot helikopterët 78 milionë euro të FA dhe si korrupsioni degradoi lavdinë e flotës ajrore

Qeveria shqiptare njoftoi pak ditë më parë se dy helikopterë amerikanë “BlackHawk” do t’i bashkohen Forcave të Armatosura këtë janar.

Për ministrin e Mbrojtes Niko Peleshi, ky është një lajm i shumëpritur dhe mbi të gjitha tregon mbështetjen e madhe të Amerikës për Shqipërinë.

“Dy helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të Forcave Ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje”- bëri me dije ambasada amerikane në një postim.

Një prej helikopterëve BlackHawk te dhuruara nga SHBA

FA nuk kanë asnjë helikopter për të shuar zjarret dhe kjo u dëshmua edhe gjatë muajve të verës, me flakët që përfshinë disa zona të vendit e ku situata ishte më e rëndë në Pishporo të Fierit.

Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit, ishte i nevojshëm ndërhyrja nga ajri, por shteti ynë ishte i gjunjëzuar përballë flakëve.

Ndërhyrja nga ajri me avion u bë me ndihmë të shtetit grek, pas kërkesës pranë mekanizmit europian të mbrojtjes civile, të cilës fqinji ynë i është përgjigjur menjëhere pozitivisht.

Po ku ndodhet sot arsenali më i kushtueshëm ushtarak i Shqipërisë, i përbërë nga helikopterët “Cougar” me vlerë 78 milionë euro?

Në vitin 2009, kur në krye të qeverisë ishte Sali Berisha, shteti ynë njoftoi se do blente disa helikopterë ushtarakë të rinj nga kompania franceze Eurocopter, katër nga të cilët të formatit të madh, të pershtatshëm edhe për shuarjen e zjarreve.

Marrëveshja me kompaninë është miratuar nga qeveria shqiptare më 4 shkurt të vitit 2010.

Sipas marrëveshjes, qeveria shqiptare do të blinte 5 helikopterë nga kompania, ndërsa në atë kohë u tha se kjo kishte ardhur si kusht i Francës për pranimin e Shqipërisë në NATO dy vite më herët.

Marrëveshja do të zbatohej për një periudhë 4 vjeçare, pra deri në fund të vitit 2013. Në atë kohë, kontrata ishte për helikopterë të llojit AS532 AL COUGAR nga versionet ushtarake të familjes Super PUMA, që do të thotë për terrene të vështira.

Shuma për blerjen e këtyre helikopterëve të cilësuar si super modernë ishte 78 milionë euro gjithsej. Vlera ishte e lartë për një vend të vogël si Shqipëria.

Në vitin 2014, qeveria shqiptare, kësaj here e drejtuar nga socialistët, rinovon sërish kontratën me kompaninë franceze.

Ndryshimet e kontratës kishin të bënin me blerjen edhe të një helikopteri shtesë, pra 6 tillë, por dy prej tyre do të ishin të llojit EC 145, njëri prej të cilëve u rrëzua më 6 prill të 2016-ës në Shkodër, për fat të keq me dy viktima pas.

Helikopteri ushtarak Eurocopter i ekspozuar gjatë një parade në Tiranë. Ai u rrëzua në Liqenin e Shkodrës ne prill 2016, duke u marrë jetën dy pilotëve

Por ky nuk ishte i vetmi incident i ngarkesës prej 5 helikopterëve që u blenë nga qeveria shqiptare prej kompanisë franceze Eurocopter.

Helikopteri i parë i ngarkesës së miratuar në kontratë nga Franca dhe Shqipëria u rrëzua në Alpet franceze pikërisht një ditë para se të vinte në Shqipëri.

Në korrikun e vitit 2012, helikopteri i tipit “Cougar” pësoi një incident të rëndë ku gjeten vdekjen gjashtë anëtarë të ekuipazhit, të gjithë francezë.

Helikopteri ishte në një test të fundit fluturimi, dhe në bord ndodheshin 6 pilotë dhe teknikë të kompanisë franceze Eurocopter, dhe prapa tij ishte dhe një helikopter tjetër.

Por ndalemi te mirëmbajtja e tyre.

Përgjatë viteve 2014-2018, mirëmbajtja e këtyre helikopterëve u sigurua përmes një kontrate me kompaninë italiane “Eurocopter Italia” të certifikuar nga prodhuesi.

Për 4 vite me radhë mirëmbajtja u krye në një qendër të hapur në Rinas, ku ekspertët e “Eurocopter Italia” vinin sa herë nevojitej për të riparuar helikopterët. Në vitin 2018 Ministria e Mbrojtjes nuk e pagoi me faturën rreth 1 milion euro, çka ndërpreu edhe shërbimet e italianëve.

Një seri kontratash të tjera mirëmbajtjeje prej qindra mijëra eurosh u firmosën nga Ministria e Mbrojtjes pas vitit 2018, por mbetën për një kohë të gjatë të pazbatuara për shkak të problemeve që lidheshin me transportin apo peripeci të tjera.

E ngecur mes kontratash që nuk zbatoheshin, Ministria e Mbrojtjes e prishi kontratën me “Eurocopter Italia” dhe lidhi një kontratë të re mirëmbajtjeje me kompaninë franceze “Airtelis”.

Kontrata mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë franceze “Airtelis” u firmos më 10 tetor të vitit 2019 me një kosto prej 435 mijë eurosh.

Në dhjetor të vitit 2020 Ministria e Mbrojtjes nënshkroi një kontratë me kompaninë polake “Heli-One” për riparimin helikopterëve “Cougar”, me vlerë 135 mijë dhe 176 mijë euro.

Gjatë verës së vitit 2021, kriza e mosrealizimit të kontratave doli në sipërfaqe, pasi Shqipëria kishte vetëm një helikopter “Cougar” në gatishmëri për të përballuar emergjencën me zjarret.

Edhe vetë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, e kishte pranuar 1 vit më parë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë se Shqipëria nuk po e mirëmbante dot flotën ajrore të helikopterëve “Cougar”

Një “Cougar” ndodhet prej më shumë se 1 viti në Itali. Helikopteri që kushton miliona euro vijon të strehohet në një magazinë bujqësore në një fshat të Italisë.

Dy helikopterë të tjerë kanë mbetur në Poloni, për riparim që prej vitit 2022.

Shteti shqiptar shpenzoi 78 milionë euro për t’i blerë. Miliona euro vit për vit për t’i siguruar dhe mirëmbajtur dhe në fund, nuk kishte asnjë helikopter.

Ata “dergjen” jashtë vendit dhe kjo mbetet një dëshmi e degradimit të flotës ajrore shqiptare

Ditar. Al

Share it :