Situata me reshjet e borës në disa qytete vijon të mbetet kritike, teksa qarkullimi i mjeteve është i pamundur.
Konkretisht, intensiteti i lartë i reshjeve të borës ka krijuar vështirësi në Rrugën e Arbrit ku po punojnë 5 borëpastruese. Në pjesën e bypass-it të Murrizit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të vështirësive në qarkullim.
Edhe në rrugën e Kombit, pavarësisht reshjeve të dëborës, vijon qarkullimi i automjeteve.
Në segmentet Peshkopi-Maqellarë dhe Ulëz-Burrel vazhdojnë reshjet e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje dhe segmentet janë të hapura. Në akset Vau Dejës-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore. Po punohet me 4 borëpastruese. Qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me kujdes, veçanërisht në segmentin Fierzë-Qafë Shllak pasi era e fortë përhap dëborën nga bankina në rrugë.
Edhe në akset Qafë Plloçë-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë kanë nisur reshjet e dëborës me intensitet, po punohet me borëpastruese për pastrimin e tyre. Qarkullimi vijon normalisht.
Rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe pajisja me zinxhirë në të gjitha zonat ku janë regjistruar reshje dëbore.
Bashkia e Fushë Arrëzit ishte e para që shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Kryebashkiaku Hil Curri raportoi se 12 fshatra janë të bllokuara totalisht dhe është i pamundur edhe komunikimi.