SPAK-u po arreston pluralizmin

0
221

Nga Agim Xhafka

Kam marrë pjesë në të gjitha votimet që janë zhvilluar në atdhe. Kam blerë biletë avioni e kam ardhur edhe kur kam qenë jashtë shtetit. Në të gjitha rastet, duke filluar nga viti 1992, kam votuar për opozitën e kohës. Pra, votën time ia kam dhënë edhe PS, edhe PD.

Ngaqë besoj fort se ndryshimet në qeverisje sjellin përherë progres, energji, për rrjedhojë pasurim të vendit. Por këto vite të qeverisë Rama, mua e qindra mijëra shqiptarëve që kanë votuar si unë, na ka humbur pëlqimi që hodhëm në kuti ditën e zgjedhjeve. Pra, sot unë nuk e di kush më përfaqëson në Kuvend apo në parlament siç i thonë dendur. S’e gjej veten askund.  Paçka se me votën time, sipas Kushtetutës, e kam deleguar të drejtën që në zhvillimin e vendit të marrin vendime për mua grupi i deputetëve që kam përzgjedhur unë dhe një pjesë e madhe e zgjedhësve. Shkurt, vota ime s’gjendet askund. Jo veç imja, por thuajse e krejt opozitarëve që votuam njësoj.

Me arrestimin absurd, flagrant, antiligjor e hakmarrës të Berishës, parlamenti im tani i bie të ndodhet te “Rrugica e Salës”. Ai e ka prokurën popullore të më përfaqësojë mua dhe 700 mijë shqiptarë. Po kryeministri aktual, kampioni i qeverisjes më të keqe që na ka ndodhur që kur u krijua shteti ynë, Edi Rama, e ka arrestuar atë. Me veglën e tij SPAK, ai burgosi bashkë me liderin e opozitës edhe votat tona. Jo veç Berisha, por edhe Meta e Kryemadhi, edhe Mediu e ndonjë tjetër (hë për hë veç Nard Ndoka nuk po hetohet nga opozita) në kuadrin politik po përshfaqin tmerrin e gjëmës që po na rri mbi kokë. SPAK, siç duket, paska projekt të arrestojë pluralizmin shqiptar. Të jetojmë një demokraci fasadë dhe të drejta e liritë tona të treten në një humbëtore pale se ku.

Tani parlamenti është njëpartiak. Është kthyer si Selia e PS. Që qiranë, energjinë, rrogat e benefitet e kësaj partie-shtet ia paguajmë ne kundërshtarët e saj. Edhe ca deputetë që mund të flisnin në emrin tim, Rama me veglën Nikolla vërtet nuk i ka burgosur ende, por i dënon përherë. I dënon me aq ditë sa i teket kryeministrit. Pra, sërish unë si zgjedhës nuk jam brenda sallës së parlamentit. Vota ime është zhdukur, e ka përpirë antiligji. Ose më saktë, në Shqipëri po prangoset edhe vota.

Pyetja ime, ku është vota ime, në çdo vend demokratik nuk bëhet, është pyetje absurde, nuk ka kuptim. Por në regjime diktatoriale, duhet ta artikuloj me forcë.

-A ia vlen të votosh në një shtet ku opozita futet në burg pa asnjë akuzë, pa asnjë provë, pa fakte, por vetëm me një sms të kryeministrit?!

Përgjigja normale:

-Jo, nuk ia vlen. Ky sistem nuk rrëzohet me votë të prangosur. Duhet treguar forcë, pa përdorur forcë. Mjafton një batanije dhe jo më shumë se dy ditë protestë poshtë zyrës së qeverisë. Kaq e prangat shkojnë te duart e armiqve të lirisë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here