Një 18-vjeçar ka ndërruar jetë të shtunën pasi është rrahur brutalisht më 14 janar në Podujevë.
Bëhet fjalë për Lulzim Fejzullahun, i cili tash e gjashtë ditë ishte duke u trajtuar në Mjekim Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin mjekja kujdestare në QKUK, Agreta Gashi, e cila ka thënë se pacienti kishte lëndime të rënda në kokë.
Ndërsa axha i të ndjerit, Rrahim Fejzullahu, e ka përshkruar të gjithë ngjarjen se si ka ardhur deri të ky rast tragjik.
“Unë nuk e di a kanë qenë moshatarë të tij apo jo. Së pari e kanë ndjek me kerr, e kanë shkel me kerr, e kanë shtyp, e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrëzuar Lulzimin, i kanë hip stupca bejsbolli, derisa sot në ora 15:20 ndërroi edhe jetë”, ka bërë të ditur Fejzullahu për Raporto24
Ai tutje ka treguar, se sipas informacioneve që i ka, e gjithë ngjarja ka nisur te një berber.
“Aty i kanë shti fjalët. Jo s’po rruhesh para meje, jo kush je ti, jo kush jam une. Këtu ka ndodhë shkaku. Djali ka dalë, me shku prej shtëpisë. Në derë kah dalin janë rrok me krah. Këta e kanë përcjell me kerr, videot i ka policia”, ka bërë të ditur axha i viktimës.
Ai ka thënë se vetëm kërkon drejtësi maksimale për nipin.
Për rastin e tentimvrasjes pati njoftuar Policia në raportin 24-orësh të 15 janarit. Sipas raportit, dy persona ishin arrestuar nën dyshimin për rastin, ndërsa në vend të ngjarjes ishte konfiskuar një thikë dhe një veturë.
Për vdekjen e rreth 18-vjeçarit ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Rast i rëndë e shumë prekës vdekja tragjike e të riut, L.F. i cili na tronditi të gjithëve me rrethanat e vdekjes. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe shoqërisë së të ndjerit!” ka shkruar ai në Facebook.
Dy personat e arrestuar si të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçarit nga Podujeva, janë të mitur.
Viktima Lulzim Fejzullahu ka ndërruar jetë të shtunën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ishte duke u trajtuar për shkak të lëndimeve të rënda që kishte pësuar gjashtë ditë më parë kur ishte rrahur brutalisht nga të dyshuarit.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pas një përleshje fizike që kishte ndodhur në rrugën “Drenica” në Podujevë më 14.01.2024, dy të dyshuarit (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore.
“Ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale ‘Vrasje në tentativë’ (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatën për media.
Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit.
“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit është njoftuar se viktima ka ndërruar jetë dhe me urdhër të njëjtit trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion”, bëhet e ditur më tej në njoftim.