Agron Neza ka dalë nga SPAK pas gjashtë orëve, ndërsa ishte thirrur në funksion të hetimeve për çështjen McGonigal. Emri i Agron Nezës është përmendur në dosjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili dyshohet se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe nuk ka raportuar kontaktet dhe lidhjet me zyrtarë të shteteve të tjera.
Në takimin informal me gazetarët në fund të dhjetorit 2023, kreu i SPAK Altin Dumani duke iu përgjigjur disa pyetjeve të gazetarëve informoi se po vijonin hetimet në kuadër të kallëzimit penal që deputeti Gazment Bardhi kishte bërë në Prokurorinë e Posaçme dhe për të cilin ishte bërë dhe regjistrimi i procedimit penal.
Më 24 janar 2023 deputeti Gazment Bardhi depozitoi në SPAK kallëzimin për nisje të hetimeve ndaj Kryeministrit Rama për ato që ai i cilësoi si lidhje me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke thënë se ky i fundit është korruptuar nga Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.