Pjesëmarrja në aktivitete politike e gjyqtarëve/ Kaso: Sadushi shkeli Kodin e Etikës Gjyqësore, të merren masa!

Në një deklaratë për media e sekretarit për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso në një dalje për mediet tha se Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë e shpërfill Kodin e Etikës së Gjyqtarit dhe e shkel atë.

Kaso: Pika 6/ b e Kodit të Etikës Gjyqësore e thotë qartë: gjyqtari duhet të shmangë sjelljet që mund të krijojnë përshtypjen te publiku se është i angazhuar politikisht, dhe as të marrë pjesë në aktivitete politike, në cfarëdolloj mënyre, me përjashtim të çështjeve me rëndësi për funksionimin e gjykatave dhe pavarësinë e tyre”. Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë e shpërfill Kodin e Etikës së Gjyqtarit dhe e shkel atë. Siç do ta shihni në këtë foto që po bëjmë publike, ai është në një aktivitet politik, siç duket edhe nga shoqëria e lartë politike që pozon me gjyqtarin e Sadushi. Në të djathtë të tij është deputeti i Partisë Socialiste Vullnet Sina, dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, dhe në të majtë prefekti i qarkut, të tre të partisë në pushtet. Aktivitet dhe shoqëri më politike se kaq nuk mund të bëhet.Me këtë foto, gjyqtari Sadushi dëshmon atë që Partia Demokratike thotë vazhdimisht. Gjykatat dhe SPAK-u janë aksesor i Edi Ramës dhe qeverisë. Ata vijnë nga e shkuara e përbashkët komuniste dhe ëndërrojnë e punojnë për një të ardhme me vetëm partinë e tyre në pushtet në Shqipëri. Për njerëz të tillë opozita është një bezdi që duhet hequr qafe. Imagjinoni si i trajton çështjet e drejtësisë që prekin Partinë Demokratike Sokol Sadushi, kur del publikisht, pa iu drishur qerpiku në zijafete me kundërshtaret e PD, deputetë dhe funksionarë të lartë të Partisë Socialiste.Ne kemi të drejtë kur i identifikojmë për atë që ata janë. Gjyqtarë të kapur nga e shkuara e tyre dhe nga benefitet e Ramës që u sigurojnë një të ardhme të ngrohtë. Sadushi nuk është rasti i parë. Një tjetër gjyqtare e lartë mori pjesë para disa ditësh në festën e “grupimit Basha” dhe deri më sot nuk ka asnjë reagim nga organet përgjegjëse. Partia Demokratike e dënon pjesëmarrjen në aktivitete politike të gjyqtarëve dhe kërkon marrjen e masave të menjëhershme nga institucionet përkatëse. Mosreagimi dëshmon pajtim me shkeljen. Vetëm ndëshkimi i shkelësve i jep garanci opinionit se çështjet e tyre shkojnë në duar të gjykatave të pavarura, dhe jo të ekzekutorëve partiakë të vendimeve.

Share it :