Nga Julian Hoxhaj
Disa kohë më parë, po punoja për të realizuar një material në lidhje me punën. Më duheshin shifrat e INSTAT për popullsinë e qarkut të Elbasanit. U futa, i gjeta dhe nisa të bëja krahasimet! Rezultatet janë dramatike.
Dy tabelat e mëposhtme, (e para i përket 1 janarit 2014-2015 dhe e dyta 1 janar 2022-2023), tregojnë të dhënat e popullsisë sipas INSTAT. Në 1 janar të vitit 2014, Elbasani si qark, kishte një popullsi 302.827 personash. Në 1 janar të vitit 2023 Elbasani si qark, kishte një popullsi prej 252.719, ose thënë ndryshe 50.108 persona më pak në më pak se 9 vjet!
Pra, vetëm qarku i Elbasanit, sipas shifrave zyrtare (këtu në fakt llogariten dhe jo rezidentët, por popullsia e regjistruar në gjendje civile në Shqipëri) ka humbur mbi 50 mijë banorë në më pak se 9 vjet. Pra në këtë humbje, faktori kryesor nuk është emigrimi masiv, por rënia natyrale e popullsië për shkak të uljes së lindjeve, shtimit të vdekjeve, migrimit të brendshëm duke ndryshuar vendbanimin e tj. Gjithsesi ky është një tregues i rëndësishëm i krizës demografike.
Nëse këtyre shifrave u faturojmë dhe shpopullimin, apo largimin masiv të qytetarëve nga fshatrat e shtatë bashkive të qarkut të Elbasanit, e sigurtë që numri i popullsisë nuk do të jetë më as 250 mijë (sipas shifrave të INSTAT referuar gjendjes civile), por më pak se gjysma (këtë e presim në fakt të na e thotë Censi). Pra, këto të dhëna nuk janë thjeshtë dëshmia tronditëse e asaj që po i nodh Shqipërisë për shkaqe nga më të ndryshme, por kryesisht politike, ekonomike dhe sociale, por janë dëshmia kryesore e axhendës që ka politika për të zhbërë këtë vend nga të vetët.
Se çfarë pasojash do të sjellë kjo politikë antikombëtare, zhurmën e krismës do ta dëgjojmë së shpejti. Nuk do të jetë e largët dita, kur skema e pensioneve do të jetë në kolaps (sot jemi afër 1-1). Do të shohim se kriza e punëtorëve do të rrënojë ekonominë sikur të ishte kështjellë rëre, ndërsa vendi do të kolapsojë në shumë drejtime. Por një nga më kryesorët, jo ekonomik e as social, është ai diplomatik dhe ekzistencial. Kush i ka njohuritë minimale të historisë dhe diplomacisë, e di mirë se fuqia e kombeve matet me territore dhe popullsi, ato pasojnë me ekonomi dhe qëndrueshmëri. Sa më pak shqiptarë të popullojnë këto vise, aq më shumë do të ketë tentativa për të nxitur ide shoviniste dhe ekstremiste.