Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në SPAK ku do të pyetet lidhur me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Berisha u prit me ovacione nga simpatizantë, ndërsa në mbështetje të tij ishin edhe deputetët demokratë.
Luçiano Boçi, jashtë ambienteve të SPAK, foli për mediat ku tha se ndaj Berishës po përdoren metoda politike. Boçi theksoi se Berisha është nën një hetim politik pa fakte dhe prova, një goditje ndaj tij dhe pluralizimit e demokracisë.
“Këta përdorin metodat e para viteve 90, që i marrin shumë gjatë në pyetje personat që marrin në pyetje. Mua më vjen keq që pretendova të vij këtu. SPAK është bërë një detashment i PS. Këto mënyrat e gjyqeve të rikthejnë në kujtesë ato gjyqet e kinemave të dikurshme, që i bëheshin kundërshtarëve politikë.
Metodat që përdoren janë metoda politike. Pasi e kemi thënë, Berisha është në një hetim politik dhe nuk ka fakte e prova ndaj tij.
Mënyra si po procedohet është goditje jo vetëm ndaj Berishës, por ndaj pluralizmit e demokracisë. Janë rikthyer në revansh në pushtet bijtë e etërve dhe sot kërkojnë ta mbysin edhe atë pak demokraci. Ne jemi pjesë e situatës politike dhe e pluralizmit. Fjalës betejë ia hoqi kuptimin Lulzim Basha”, tha Boçi.