Kreu i PD-së, Sali Berisha u paraqit këtë të Martë në Prokurorinë e Posaçme, ku ishte thirrur për tu marrë në pyetje për herë të parë, për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Berisha dha një deklaratë të shkurtër për gazetarët para hyrjes në ambientet e SPAK, duke e cilësuar prokurorinë organizatë kriminale që punon kundër pluralizmit për llogari të kryeministrit Edi Rama.
Pak para orës 10:00, kryedemokrati doli nga apartamenti ku jeton. “Beteja vijon! Beteja pa kthim vazhdon”, tha ai për gazetarët e pranishëm poshtë shtëpisë së tij, para se të hynte në bordin e automjetit që e transportoi para hyrjes së prokurorisë së posaçme.
Aty dha një tjetër prononcim për gazetarët, duke hedhur akuza ndaj kreut të qeverisë Edi Rama dhe SPAK-ut.
“Beteja me botën e krimit vazhdon. Opozita do të fitojë. Jam sot këtu për të përfaqësuar ju, përfaqësuar shqiptarët, përfaqësuar pluralizmin, Partinë Demokratike! Jam këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë, që angazhohet në betejë kundër pluralizmit. Ne do fitojmë, fitore, fitore, fitore”, tha kreu i PD-së.
Para dyerve të prokurorisë ishin grumbulluar deputetë demokratë, bashkëpunëtorë dhe mbështetës së kryedemokratit, të cilët e pritën me brohoritma dhe thirrjen: “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”.
Berisha është nën arrest shtëpie që prej 30 Dhjetorit pasi GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të ashpëruar masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj tij. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në procedimin penal për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Vetë kryedemokrati i ka quajtur akuzat ndaj tij të motivuara politikisht nga kundërshtari i tij politik, kryeministri Edi Rama. Ndërsa procedurën e ndjekur ndaj tij deri në ashpërsimin e masës së sigurisë e ka cilësuar antikushtetuese dhe e ka ankimuar në Apel.