Pushteti zgjodhi errësirën e një fundjave Maji për të rrëzuar me rruspa ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Rezistenca më shumë se dy vjeçare për mbajtjen e teatrit e artistëve dhe aktivistëve, u godit dhunshëm nga dhuna e efektivëve me uniformë ndaj qendrëstarëve të kauzës dhe fadromat e rënda që rrafshuan ndërtesën e Teatrit Kombëtar.
Shembja e godinës, e cilësuar pjesë e trashëgimisë kulturore, u kundërshtua me një qëndresë gati të pashembullt nga grupimi “Alenca për Teatrin”, personalitete të shquara, organizata vendase e të huaja dhe vetë zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.
Megjithatë, përballë ishin njerëzit e pushtetit. Si itharë të shkatërrimit u pozicioniuan egërsisht kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, sipas të cilëve godina nuk kishte asnjë vlerë.
Me procedura të cilësuara antikushtetuese më pas nga gjykata, pushteti arriti të rrafshojë Teatrin Kombëtar dhe i dha biznesmenit pranë qeverisë Shkëlqim Fusha për të ndërtuar teatrin e ri brenda një kompleksi në vendin ku qëndronte godina e shembur.
Të Martën, në mediat pro qeveritare u shfaq kronika e radhës e propagandës së Erion Veliajt, duke njoftuar “lumturinë” për ecurinë e punimeve nga “Fusha”.
Procedura antikushtetuese, por askush se prek dyshen Rama-Veliaj
Shembja e Teatrit Kombëtar u krye në bazë të procedurave të vlerësuara antikushtetuese nga autoritetet, megjithatë asnjë masë nuk u morr për ndalimin e punimeve nga firma “Fusha”.
Në korrik të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi “ligjin Fusha”, i cili i jepte biznesmenit Shkëlqim Fusha truallin e Teatrit Kombëtar për ngritjen e një kompleksi kullash.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi njëkohësisht edhe një Vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në atë ligj, nëpërmjet të cilit kalohej pronësia e truallit të Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës.
Megjithatë, një trupë e përbërë nga Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji dhe Ilir Toska, doli në konkluzionin se Gjykata Kushtetuese nuk ka mjete juridike për të detyruar institucionet, në rastin konkret Këshillin e Ministrave dhe Bashkinë e Tiranës, që të zbatojnë vendimet e saj.
Lidhur me çështjen është bërë kallëzim edhe në Prokurorinë e Posaçme, që vijon të prodhojë vetëm heshtje edhe katër vite pas shembjes së Teatrit./ Boldnews.al