Rruga e Arbrit ‘pushtohet’ nga ujërat e zeza

Vijon të jetë problematike segmenti i Rrugës së Arbrit mes dy lagjeve të qytetit të Bulqizës. Jo vetëm kur ka reshje shiu, por edhe tani me reshje dëbore, rruga është përmbytur nga vërshimi i ujit. Siç duket nga pamjet, më shumë se gjysma e rrugës poshtë urës që lidh dy lagjet e qytetit është e mbushur me ujë.

Qytetarët thonë se pjesa më e madhe e këtij uji vjen nga lagjja e re dhe janë ujërat e zeza të cilat rrjedhin në sipërfaqe si pasojë e dëmtimit të rrjetit nga punimet që po kryhen në këtë lagje. Ndërkohë këto ujëra janë përzier edhe me ujërat e dëborës që ka nisur të shkrihet në zonë. Sakaq, prania e ujit ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve të cilat duhet të shmangin pellgun e krijuar poshtë urës dhe të rrezikojnë të përplasen me automjetet e tjera.

Kjo nuk është hera e parë që ujërat e zeza të lagjes së re të Bulqizës bëhen problem jo vetëm për ndotjen e mjedisit, por tashmë edhe për automjetet që përdorin rrugën e Arbrit për të lëvizur drejt Peshkopisë apo Tiranës.

Share it :