Autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë. Kjo nuk është hera e parë që flitet se ky segment do të bëhet pjesë e rrugëve me pagesë por qeveria e ka pranuar këtë zyrtarisht në një dokument që mban datën 13 dhjetor 2023. Konkretisht bëhet fjalë për një dokument të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe që lidhet me projektin e urave në vend që po mbështetet nga Banka Botërore dhe në një pjesë të veçantë të këtij dokumenti nënvizohet edhe një paragraf për autostradën Tiranë-Durrës.
Në termat e referencës së procedurës vlerësimi i dizajnit (projektit) dhe mbikëqyrja e punimeve për Urën e Beshirit që ndodhet në aksin Tiranë-Ndroq-Plepa nënvizohet se ky aks do të përmirësohet si një mundësi alternative kundrejt audostradës që do të jetë me pagesë.
“Në aspektin gjeografik, pjesa rrugore Tiranë – Ndroq – Plepa, ndodhet në pjesën e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, në rrethin e Tiranës dhe Durrësit. Duke ndjekur zhvillimet në autostradën e shpejtë Tiranë-Durrës rrugë përdoret herë pas here kur ka bllokime në autostradë ose kur përdoruesit e rrugës kanë nevojë për një pamje panoramike të shoqëruar me shumë pika agroturizmi përgjatë rrugës.
Autostrada Tiranë-Durrës është korridori kryesor ekonomik i vendit që lidh kryeqytetin me portin kryesor, Durrësin dhe nga veriu në jug. Rreth 40 për qind e popullsisë së vendit jeton në këtë segment. Përmirësimi i planifikuar i autostradës aktuale ndërmjet Tiranës dhe Durrësit do të përfshijnë një sistem pagese, ndaj duhet të ofrohet një rrugë alternative . Për këtë qëllim rruga që lidh dy qytetet përmes Ndroqit dhe Plepave duhet të zgjerohet” thuhet në dokumentin e ARRSH.
I njëjti argumenton se ndërtimi i Korridorit Adriatiko-Jonian përfshin një autostradë të re nga Vora për në Ndroq, dhe do të tërheqë trafik të konsiderueshëm që vjen nga Veriu i Shqipërisë dhe nga Tirana. Në situatën aktuale, këto udhëtime duhen bërë përmes Durrësit, por kjo autostradë e re do të duhet të plotësohet me një përmirësim të segmentit Tiranë-Ndroq për shkak të flukseve Tiranë-Rrogozhinë që do të përdorin më pas atë segment.
“Rruga SH56, Tiranë – Ndroq – Plepa, përfaqëson një rrugë të rëndësishme me potencial të lartë ngarkese trafiku. Rruga lidh Tiranën me bregdetin e Adriatikut dhe funksionimi i dobët i saj zvogëlon ngarkesën e trafikut dhe bën që autostrada SH2 të ketë një ngarkesë të shtuar të trafikut. Rëndësia e kësaj rruge lidhet edhe me faktin që ajo mund të shërbejë si rrugë rezerve në rast se SH2 pëson ndonjë dëmtim. Rruga ekzistuese dhe ajo e rikonstruktuar (SH2 dhe SH56) ndodhen në zonën me rrezikshmëri të lartë nga rreziqet natyrore, veçanërisht nga përmbytjet, me një vlerësim vjetor të dëmeve prej 13 milion Euro” thuhet në dokument./Monitor