‘Flej ta marrsha t’keqen’/ Spiropali i përgjigjet Bashës për akuzat e ligjit të ri që kontrollin e SPAK-un

Qeveria përmes ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është përgjigjur kreut të PD, Lulzim Basha, i cili në një konferencë për mediat tha se ka indicie se mazhoranca do të kontrollojë SPAK-un dhe se është qeveria që po e sulmon.

Me anë të një postimi në Facebook Spiropali, nënvizon se Partia Socialiste është forca udhëheqëse e Reformës në Drejtësi dhe e vetmja garante e thellimit të kësaj reformë historike.

Me ironi, Spiropali thekson se Lulëzimi u zgjua befas këto ditë për të mbrojtur SPAKU-n nga ata që e mbështesin si askush në historinë e këtij vendi.

“Flej ta marrsha t’keqen”, do thoshin shkodranët për Lulëzimin që këto ditë zgjohet befas për të mbrojtur SPAK-un nga ata që e dëshiruan, konceptuan, krijuan dhe e mbështesin si askush, kurrë në historinë e këtij vendi, pa kushte e pa komente kurdo e kudo godet! Dhe ata nuk janë as në qiell, as në det apo matanë detit, po janë këtu dhe quhen Partia Socialiste e Shqipërisë, forca udhëheqëse e Reformës në Drejtësi dhe e vetmja garante e thellimit të kësaj reforme historike, që askush, askurrë më parë në historinë e shtetit shqiptar nuk guxoi ta mendonte seriozisht, jo më ta ndërmerrte. Prandaj, kthehu nga krahu tjetër Luli dhe fli i qetë se nuk ka punë që pret zgjimin tënd!’ shkruan Spiropali.

Sot Basha u shpreh se duhet bërë gjithçka për të forcuar demokracinë dhe shtetin ligjor, ndërsa theksoi se SPAK si e vetmja hallkë që funksionon po sulmohet nga qeveria. Sipas tij qeveria ka refuzuar të hedhë poshtë informacionin për përpjekjen për të kontrolluar SPAK-un.

Share it :