Eksperti i Sigurisë, Fation Softa ka ngritur dyshime mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e së enjtes në Durrës, ku nënkomisari Arben Pjeçi u vetëvra me armën e shërbimit brenda ambienteve të komisariatit.
Përmes një lidhjeje për Euronews Albania, Softa ka thënë se është e çuditshme se si nuk është dëgjuar zhurma e armës me të cilën Pjeçi pretendohet se ka vrarë veten.
Ai tha gjithashtu se e çudit fakti që familjarët nuk kanë mundur të marrin kontakt me viktimën dhe si pjesëtarët e tjerë në komisariat nuk ishin në dijeni për ngjarjen.
Sipas Softës, kjo ngjarje duhet hetuar me themel nga grupi hetimor dhe AMP.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Softa: Ai hyn dhe del në komisariat. Ka edhe kontakt me të tjerë. Të gjitha zyrat me rregullore çelësin duhet ta ketë nga jashtë. Si ka mundësi që familjarët nuk e gjenin dot ku ishte? Po arma që vrau veten nuk është dëgjuar? Pse duhet të mendonte ai për të minimizuar zhurmën, kur do vriste veten? Kjo i takon grupit hetimor dhe AMP. Po të flasim për këtë, i bie që ai ka qenë në gjendje normale pastaj.
Demi: Teorikisht personat që kanë marrë vendimin për të vrarë veten dhe kanë planifikuar gjithçka, mund të kalojnë në një gjendje të dukshme qetësie pasi kanë marrë vendimin. Por kjo nuk vjen nga hiçi. Përpara se të ketë marrë këtë vendim, personi duhet të ketë shfaqur shenja të dukshme, të rënduar të shëndetit mendor.