Një juri gjyqësore në Nju Jork vendosi që ish-presidenti Donald Trump t’i paguajë 83.3 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll, për komente diskredituese ndaj saj, gjatë kohës që ishte president në vitin 2019.
Zonja Carroll paditi zoti Trump për dëmtim reputacioni, duke e quajtur atë gënjeshtare, pasi ajo e akuzoi për përdhunim dekada më parë.Zonja Carroll e publikoi rastin në një libër me kujtime, në të cilin shkruante se në vitin 1996, zoti Trump e përdhunoi në një dyqan luksoz të qytetit të Nju Jorkut.Zoti Trump, i cili ishte i pranishëm në pjesën më të madhe të gjyqit, por jo për të dëgjuar vendimin, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se do ta apelojë atë.
Në postimin e tij, Trump tha se faturat gjyqësore të shkrimtares janë paguar nga miliarderi majtist, George Soros. Sipas ish-presidentit amerikan, kjo është një gjueti shtrigash politike.
“Ju keni një grua që është financuar dhe ka gënjyer për këtë, ajo ka gënjyer totalisht për këtë,” tha Trump.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se ajo është paguar nga një donator demokrat, i quajtur Reid Hoffman. Për konservatorët, Hoffman është i lidhur ngushtë me Sorosin, madje disa e quajnë Sorosin e ri.