Nëse sot do isha në opozitë!

0
466

Nga Gëzim Saliu!

Një raprezalje e vërtetë po ndodh ndaj opozitës në vend. Krahas ndarjes në dy grupime dhe vendosjes në cep të ringut të ish kryeministrit përmes masës së arrestit shtëpiak, Partia Demokratike po goditet ballazi nga mazhoranca edhe në Parlament.

Përmes numrave në Kuvend, shumica bën ç’të dojë me kundërshtarin politik, madje duke përjashtuar në masë pakicën parlamentare, 19 deputetë opozitarë!

Nuk mjafton heqja e të drejtave ekzistenciale të opozitës, përfshi këtu edhe  të drejtën e kontrollit të qeverisë përmes komisioneve hetimore, por tani deputetët e PD-së po përjashtohen si grupim nga seancat parlamentare si ‘masë disiplinore’ për thyerje të rregullores së Parlamentit.

Ditën e sotme Sekretariati i Etikës nën kontrollin e plotë të shumicës qeverisëse ka miratuar masë disiplinore me 10 ditë për 18 deputetë të opozitës, ndërsa për  deputetin Ervin Salianji, masa ishte 20 ditë.

Në këto kushte, opozitarizmi jo vetëm që nuk ka terrenin e domosdoshëm për t’u zhvilluar por pak nga pak po jep shpirt duke krijuar tablonë e një situate të pashpresë. ‘Thertorja’ e PS-së po qeron në masë deputetët opozitarë, duke konsoliduar mono sistemin që ka hedhur baza prej kohësh.

E megjithatë, sot opozita u mjaftua vetëm me deklarime publike e ‘vajtime’ në rrjetet sociale.

Sot nuk ishte dita kur demokratët dhe opozitarët në tërësi duhej të mblidheshin poshtë shtëpisë së Berishës si çdo natë.

Sot nuk ishte dita për të dhënë fjalime nga Kryesia e Kuvendit, ‘skena e krimit’ e cila nuk ka se si të solidarizohet me viktimën e saj.

Sot nuk ishte dita e rreshtave kritikues në ‘facebook’ për një vendim qe me të drejtë po masakron jetën parlamentare.

Përkundrazi, sot duhej të ishta dita e një akti ekstrem. Sot deputët e opozitës duhej të nisnin ngujimin në Kuvend, duke i dhënë më së pari një mesazh të qartë mazhorancës e më pas gjithë trupës diplomatike të akredituar në vend, ;‘kështu nuk mund të vazhdohet më’.

Nuk ‘pijnë më ujë’ as flakadanët në Kuvend e as shkuljet e mikrofonave në komisione. Kjo e bën opozitën të duket e lashtë dhe njëkohësisht të squllët.

Opozita është në kufijtë e ekzistencializmit dhe në të tilla kushte, aktet ekstreme janë ndoshta e vetmja zgjidhje për t’i dhënë oksigjen një ‘trupi’ që dergjet i shtrirë në krevat për faj të recetës së gabuar mjekësore.

Nuk ka nevojë as për molotov e as për tulla e gurë te Kryeministria apo Kuvendi. Boll kanë sakrifikuar qytetarët në të tilla protesta për vite me radhë, duke përfunduar madje edhe pas hekurave.

Deputetët opozitarë këtë herë duhet të japin shembullin personal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here