Gjykata Kushtetuese ka votuar pro kryeministrit Edi Rama për marrëveshjen e nënshkruar nëntorin e vitit të kaluar me homologen e tij Gergia Meloni, duke i hapur rrugë strehimit në vendin tonë të mijëra refugjatëve nga vendet e Afrikës që kapen në brigjet italiane.
Mësohet se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë votuar me shumicë 5 me 4 në favor të marrëveshjes, duke e konsideruar si në përputhje me Kushtetutën paktin e firmosur mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ndërkohë, 30 deputetë të opozitës që kishin depozituar padinë, e konsideronin marrëveshjen mes dy vendeve si cënuese të Kushtetutës së Shqipërisë por dhe të ligjit ndërkombëtar. Po ashtu, edhe ekspertët vendas dhe të huaj janë shprehur skeptikë për një marrëveshje e cila i jep të drejtën e plotë Italisë për menaxhimin e krizës së emigrantëve, duke shfrytëzuar një territor të huaj të një shteti fqinj si Shqipëria, që nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian.