“Në Shqipëri, lidhjet politike janë domosdoshmëri për të garantuar suksesin në biznes”. Kjo thuhej në raportin e BERZH në vitin 2018, por duket se edhe pas 6 vitesh, asgjë nuk ka ndryshuar.
Në raportin që u prezantua sot në ambientet e Bankës Kombëtare, përfaqësuesi i BERZH tha se lidhjet politike shihen ende si një element madhor për të arritur sukses në jetë dhe në biznes, teksa ngriti shqetësimin se nëse kjo vazhdon dhe lidhjet politike vijojnë të jenë më të rëndësishme se aftësitë e njerëzve, zhvillimi i sektorit privat do jetë shumë më i ngadaltë.
“Lidhjet politike shihen ende si një element madhor për të arritur sukses në jetë. Derisa ky element të ndryshohet dhe aftësitë e njerëzve të bëhen më të rëndësishme se lidhjet politike që ato kanë, zhvillimi i sektorit privat do jetë më i ngadaltë”, tha përfaqësuesi i BERZH në prezantimin e raportit së bashku me guvernatorin e BSH Gent Sejko.
Korrupsioni është një pengesë e madhe në sektorin privat, pasi siç është denoncuar shpesh, paratë publike shkojnë në xhepat e biznesmenëve të lidhur me politikën dhe kryesisht qeverinë.
Ky fenomen është treguar mjaft qartë në shpërndarjen e fondeve të programit IPARD, ku milionat e granteve të Bashkimit Europian përfunduan në xhepat e miqve të qeverisë në vend të fermerëve, duke detyruar BE-në të ndalonte shpërndarjen e fondeve për Shqipërinë.
Gjithashtu edhe pjesa më e madhe e statusit të investitorit strategjik u është dhënë biznesmenëve që kanë lidhje me qeverinë, por që më pas SPAK i ka arrestuar apo është duke i hetuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
I tillë ishte rasti i biznesmenit Pëllumb Gjoka, mik i kryeministrit Rama, që ky i fundit e lavdëronte sa herë e takonte, por që tashmë është në burg si një person që ka urdhëruar vrasje. Një tjetër rast edhe më i rëndë është i i Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka.
Gaçi e përfitoi statusin e investitorit strategjik në kohën që Olta Xhaçka ishte ministre, në një konflikt të hapur interesi. Por nuk mjaftoi me kaq, pasi një tjetër shkelje edhe më të rëndë gjeti SPAK. Prokuroria e Posaçme e ka sekuestruar truallin mbi të cilin Artan Gaçi do të ndërtonte resort turistik, pasi dyshohet se është përfituar nëpërmjet tjetërsimit të pronave.
Këto janë vetëm 2 raste se si lidhjet me politikën ndikojnë në zhvillimin e biznesit privat, ndërkohë që edhe sektori publik vuan nga nepotizmi dhe punësimet politike, sidomos në kohë fushatash. Administrata publike është mbipopulluar me punonjës partiakë, teksa një tjetër goditje mbi biznesin privat ishte edhe taksimi që iu vendos duke filluar nga 1 Janari i këtij viti.