Ndotja e ajrit në nivele alarmante është disktuar në televizioni syri ku i ftuar ishte eksperti i mjedisit,Rodion Gjoka.
Gjoka gjatë intervistës shpjegoi edhe se ku qëndron problemi më i madh i ndotjes në qytetin e Tiranës dhe se çfarë shkakton shqetësim relativisht të madh.
Gjoka: Problemi më i madh në qytetin e Tiranës ajo çfarë shkakton shqetësim relativisht të madh për personat që arrijnë ta kuptojnë gravitetin e kësaj situate janë pluhurat dhe dioksidi i azotit. Tek pluhurat unë dua të ndalem tek pluhurat PM 2.5 siç quhen në gjuhën teknike ose që janë grimcat e pluhurave të padukshme për syrin e njeriut sepse kanë një dimension PM 2.5 mikron.
Këto pluhura në vetvete janë lëndë e ngrutë e cila gjenerohet si nga transporti ashtu dhe nga ndërtimi por edhe nga përdorimi i mjeteve me tonazh të rëndë dhe konglomerati që formon pluhurin 2.5 ka brenda plumb, ka brenda karbon të zi, ka brenda metale të rënda të cilat janë mjaft akute përsa i takon shëndetit të njeriut dhe duke qenë kaq të imta ato kalojnë direkt në sistemin respirator dhe prej aty depërtojnë në sistemin e qarkullimit të gjakut ku më pas mund të akumulohen në organe të ndryshme të trupit të njeriut.
Pa lënë më pas dhe dioksidin e azotit. Dioksidi i azotit ka përqëndrime do të thoja më alarmante nga të gjithë elementet e tjerë ndotës. NO2 për fat të të keq i tejkalon standardet e legjislacionit shqiptar dhe atij të BE me të paktën 3 herë nga mesatarja vjetore dhe nëse do t’i referoheshim këtu OBSH që aplikon standarte më të ulta i kalon me të paktën 6 herë.
Kjo është një situatë që ne e kemi ngritur këto pesë vitet e fundit madje dhe me tone të larta duke marrë kohë dhe në mediat e shkruara dhe në mediat vizive si e si për të ndërgjegjësuar qytetarët pasi duhet të jenë ata të parët që duhet të shqetësohen persa i takon çështjes së ndotjes së ajrit.
Nuk ka këtu as ngjyrime politike, as ngjyrime ekonomike, as krahë. Këtu bëhet fjalë për shëndetin publik për shëndetin e njerëzve dhe në momentin që ne kemi të bëjmë me një situatë ku ndotja është alarmante atëherë minimalisht duhet të informojmë qytetarët. Dhe kjo i takon Instituti të Shëndetit Publik dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe për fat të keq funksioni i tyre themelor që është informimi i publikut përsa i takon niveleve të ndotjes apo informacioneve të tjera që lidhet me mjedisin nuk jepen prej vitit 2017. Pra nuk kryhet ky funksion themelor ligjor pasi nuk kanë as kapacitete teknike as kapacitetete njerëzore.