Më pak se një orë ka zgjatur prezenca e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Në një prononcim të shkurtër për mediat, pas daljes nga godina e SPAK, Beqaj u shpreh se kishte shkuar për të marrë “hard drive-n” me të dhënat e laptopit të sekuestruar nga oficerët e BKH-së.
“Sot ishte e premte, që është dita e paraqitjes. Mora dhe hard drive me të dhënat e laptopit, që u sekuestruan në apartamentin tim në 28 dhjetor. Ditë të mbarë!”, tha shkurtimisht Ilir Beqaj.
GJKKO ka caktuar ndaj Ilir Beqajt masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me aferën e sterilizimit, ndërsa ai po hetohet dhe për korrupsion dhe fshehje pasuri në lidhje me abuzimet me fondet e SASPAC, por ende nuk ka një akuzë të ngritur ndaj tij.
Oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesën e Ilir Beqajt dhe kanë sekuestruar telefonin, kompjuterin dhe dokumente të tjera. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e 5 anëtarëve të tjerë të SASPAC.
Kujtojmë se çdo të premte, Ilir Beqaj duhet të paraqitet në SPAK para oficerit të BKH-së, në lidhje me masën “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij për sterilizimin.