Alicia Kearns, deputetja britanike dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik i ka reaguar ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili mbrëmë lëshoi një deklaratë ku tha se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës po i rrisin tensionet.
“Ku është balanca?”, pyeti Kearns
“A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA pas rrëmbimit të paligjshëm të 3 policëve nga Serbia? Jo”, shkroi ajo.
“Heshtja për sulmin terrorist në Banjska mbetet shurdhuese”, shtoi deputetja britanike në reagimin e saj në “X”.
Ambasadori Hovenier tha se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në lidhje me dinarin serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe po i rrisin panevojshëm tensione etnike dhe si pasojë ia kufizojnë mundësitë Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare.