Vittorio Emanuele di Savoia, i biri i Umberto II, mbretit të fundit të Italisë dhe Maria Josè, vdiq në Gjenevë.
Ai do të kishte mbushur 87 vjeç më 12 shkurt.
Njoftimi u bë përmes një shënimi nga “Shtëpia Mbretërore e Savojës”, ku thuhet: “Në orën 7:05 të mëngjesit të sotëm, 3 shkurt 2024, Lartësia e Tij Mbretërore Vittorio Emanuele, Duka i Savojës dhe Princi i Napolit i rrethuar nga familja ndërroi jetë i qetë në Gjenevë. Vendi dhe data e varrimit do të komunikohet sa më parë”.
I lindur më 12 shkurt 1937 në Napoli, Vittorio Emanuele u caktua të pasonte të atin, Umberto II, në fron. Pas referendumit të vitit 1946, i cili sanksionoi fitoren e Republikës, ai jetoi në mërgim deri më 15 mars 2003, kur pasi u anulua dispozita XIII që ndalonte kthimin e pasardhësve meshkuj në Itali, ai u kthye në atdheun e tij pas 57 vjetësh.
Më 18 gusht 1978 ai u akuzua për vrasjen e një të riut gjerman Dirk Hamer, 19 vjeç, në ishullin Cavallo në Korsikë. Akuza e vrasjes me dashje, mbi bazën e së cilës ai u arrestua më pas, u hoq në nëntor 1991, kur u shpall i pafajshëm nga prokuroria e Parisit dhe u dënua me 6 muaj pezullim për armëmbajtje pa leje.
Çështja tjetër ligjore për të cilën u arrestua Vittorio Emanuele di Savoia ka të bëjë me “Vallettopoli”. Pas një çështjeje të gjatë ligjore, Vittorio Emanuele u lirua nga të gjitha akuzat dhe mori një dëmshpërblim prej 40 mijë eurosh për ditët që kaloi në burg si njeri i pafajshëm.









