Kryetarja e Kushtetueses: Qeveria na e rriti rrogën vetë, ne po mbajmë shtetin në këmbë

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçka u shpreh këtë të hënë se shifrat e rritjes së pagave të parashikuara në projektligjin e qeverisë, nuk është kërkuar nga vetë gjykata. Në një dalje për mediat ku bëri një bilanc të aktivitetit të gjykatës, ajo tha se nga Kushtetuesja është kërkuar vetëm rritje pagash, por nuk janë sugjeruar shifra konkrete.

“Ne propozuam që të rishikohej, se sa do ishte paga jonë do ta gjente o Kuvendi, o qeveria eventualisht që do bënte kalkulimet e duhura. Qeveria deshi të korrigjonte këtë, çoi një projektligj që s’ishte rakorduar me Gjykatën Kushtetuese. Për ne është e rëndësishme që të mbetet ne hierarki si në kompetencë, si në vendimmarrje. Ky është institucioni që mban shtetin në këmbë. Rroga sot është 390 mijë lekë të reja bruto dhe 290 të reja neto, e krahasueshme me gjyqtarin e shkallës së parë”, tha Zaçka.

Projektligj i Ministrisë së Drejtësisë për rritjen e pagave të gjyqtarëve kushtetues ka ngritur pikëpyetje për diferencën e madhe me pjesën tjetër të gjyqësorit dhe konfliktin e mundshëm të interesit me qeverinë. Për projektligjin që kërkon shumicë të theksuar për tu miratuar, opozita është shprehur kategorikisht kundër, ndërsa ende s’ka marrë dritën jeshile nga Kuvendi.

E pyetur për akuzat se Kushtetuesja është ndikuar politikisht në vendimmarrjet e saj, Holta Zaçka tha se ky nuk është fenomen vetëm shqiptar. Sa herë takohemi me kolegë të huaj, u shpreh, thuhet e njëjta gjë.

 

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *