Mbreti Charles është diagnostikuar me një formë të kancerit, sipas njoftimit të Pallatit Mbretëror, Buckingham Palace.
Mësohet se nuk bëhet fjalë për kancerin e prostates, por sëmundja u zbulua gjatë trajtimit të tij të fundit për zmadhimin e prostatës.
Lloji i kancerit nuk është bërë i ditur, por sipas një deklarate të pallatit, Mbreti ka filluar “trajtimet e rregullta” të hënën.
Pallati i Buckingham thotë se Mbreti “mbetet plotësisht pozitiv në lidhje me trajtimin e tij dhe pret me padurim të rikthehet në detyrat publike sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ai do të shtyjë angazhimet e tij publike dhe pritet që anëtarë të tjerë të familjes mbretërore të marrin disa nga angazhimet e tij, gjatë trajtimit.
Nuk ka ende informacione të tjera në lidhje me fazën e kancerit apo prognozën.