Po mbrohen VIP-at e ‘SKY ECC’ në qeveri-drejtësi? Paditet Ina Rama…

0
188

Nga Basir Çollaku:

Ard Veliu, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e më pas zëvendësministër, por sërish drejtues i mbikëqyrjes policore, ai për të cilin Rama edhe po të dilnin 500 mijë vetë në shesh, nuk e dorëzonte, u dorëhoq dhe shkriu në heshtje, sikur po shkonte në plazh. Akuza të shumta, bazuar në të dhëna të përsëritura mediatike, kanë deklaruar se Veliu ishte një ndër përdoruesit e aplikacioneve të koduara SKY-ENCRO. Dosjet e dinë, por ende nuk po flasin.

Tre ditë më parë, tashmë ish-kreu i Gardës së Republikës, Gramoz Sako, është dorëhequr, e lajmi është fikur rrugës. Sërish dyshimet vërtiten rreth SKY, por djegiet shkojnë gjithandej.

KLP emëroi këshilltare ditë më herët, bashkëshorten e prokurorit Xhevahir Lita, arrestuar në operacionin “Metamorfoza”, një histori e madhe telefonash pazaresh, vrasjesh, ende pa dënime fajësie. Përmbush kriteret dhe aplikimi ka nisur para arrestimit të bashkëshortit, është shpjegimi i thatë i qeverisë së prokurorisë. KLGJ ka pasur në gjirin e saj partiak një tjetër anëtar të sajin, mik të “Metamorfozës”, garant i punëve delikate në këmbime ndersh, por Prokuroria e Posaçme nuk shkoi dot aq afër ta ndalonte e bënte pjesë hetimi, për ta përballur me përfshirjen në keqbërje.

Tigri, luani, sorkadhet, hienat e sistemit po bëjnë kërdinë pa u trazuar nga kolegët me dijeni e me dosje nëpër duar. Sërish një gjyqtar i rëndësishëm, në dosje përmendet se ka kërkuar dhe marrë 500 mijë euro për të mbaruar punë biznesmenit. Edhe ai rrëshqiti, e kaloi vetingun, nuk e pickoi asnjë hetues apo prokuror për ta marrë të pandehur. Sot duhet të ishte në qeli. Fashikujt e shumtë ku gjendet episodi i tij, do të jenë strukur në ndonjë sirtar për të ndjekur pistën si të sillet. Rrethi i tij në drejtësinë me demek të re, është i zgjeruar deri në majë të piramidës.

Një ministër ishte kontakt i disa të pandehurve dhe arrestuarve edhe në grupin e chatist-ëve SKY. Punëmbaruari zyrtar ligjëron si luftëtar antikrim, pavarësisht zhytjes personale në këtë pusetë. Asgjë rreth qeveritarit të përveçëm nga prokurorët e posaçëm.

Ina Rama dhe Mimoza Tase janë dy anëtare të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të paditura në Prokurorinë e Posaçme me 15 dhjetor 2023, për shpërdorim detyre. Akuzohen se kanë favorizuar prokurorin Julian Xhengo në veting dhe dyshohet se kanë zhdukur informacione për subjektin e rivlerësimit në bashkëpunim. Sërish heshtja nga hetimi, lë dyshime ndikimi. Ndonëse ka një raport zyrtar të bërë publik prej 53 faqesh, ku prokurori Julain Xhengo rezulton i përfshirë hapur në korrupsion me të pandehurit. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë pret ndonjë ankesë me shkrim për të parë detaje rreth kësaj historie, sepse në versionin kryesisht ka pamundësi shikimi.

Vitin e kaluar një tjetër anëtare e kësaj Gjykatë Apelimi u shfajësua me ndikim diplomatik pasi prokuroria e kishte akuzuar për “falsifikim të dokumenteve’ dhe “refuzim për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. Shkalla e Parë, gjyqtari Erion Bani, në procesin e rivlerësimit të të cilit komisionerja Çiftja, ka qenë pjesë e trupës, vendosi më herët ta klasifikonte kundërvajtje administrative pretendimin e prokurorëve.

Taulant Balla vajti në Europol, por lajme kishte më pak se për gjoba biçikletash e këmbësorësh. Diku, dihet përse nuk solli asnjë triumf kronikash kjo vizitë. Duket se takimet e pritshme u rrëzuan rrugës, ndoshta nga gjetjet e çuditshme gjatë udhës për t’u bërë ministër.

Ndërkohë çunat në Dubai presin te Nusreti e drekojnë e darkojnë qetësisht me kripën e florinjtë, për të mbështetur investimet e çdo lloji në Shqipëri intensivisht. Një marrëveshje ekstradimi nuk e duan ortakët politikë në Tiranë.

Pa hyrë më tej te sekëlldia e Edi Ramës në komunikimet telefonike me Charles McGonigal, ku aplikacionet mund të dalin surprizë dhe frikë.

Inceneratorët lëshojnë tym në Tiranë, zjarr në offshore, duke nxjerrë tek-tuk edhe hi të shtuar rus.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here