Gazetari zbulon skandalin e rradhës: Kompania zvicerane mohon të jetë pronare e inceneratorit të Tiranës!

Gazetari Klodian Tomorri, ka dhënë detaje nga zhvillimet e fundit në lidhje me inceneratorin e Tiranës, ku me sa duket nuk po dalin pronarët në letra.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Tomorri tha se kompania zvicerane, që rezulton aksionere me 40% në QKB, ka mohuar të jetë pronare dhe rezulton se është tërhequr, ndaj është e paqartë se kush janë pronarët në letër.

“Zhvillimi i fundit është që inceneratorit të Tiranës i kanë humbur prapë pronarët. Kompania zvicerane që në QKB rezulton me 40% të aksioneve, thotë që ne nuk jemi pronarë, kemi patur një marrëveshje me kompaninë në Hollandë për të siguruar financimin, nuk e gjetëm dot financimin dhe pasi pamë se çfarë ndodhte aty, jemi tërhequr dhe nuk jemi më pronarë, nuk kemi asnjë lidhje. Ndërkohë në QKB rezulton pronar.

Ky është një lëmsh, puna e kompanive dhe aksionerëve.

Nuk dihet ku i fillon filli dhe ku i përfundon, aty ndryshohen emra pronarësh, dalin dhe thonë nuk jemi. Tani nuk e dimë kush është pronari real i inceneratorit me letra, sepse kështu e kemi ndonjë ide. Arben Ahmetaj thotë se pronar janë dy qendrat e Tiranës”, tha Tomorri.


Emri i Icare Holding si një nga aksionerët e inceneratorit të Tiranës doli për herë të parë në prill të vitit të kaluar, kur në Qendrën Kombëtare të Biznesit u lajmërua ndryshimi i përfituesve fundorë të kompanisë Integrated Energy BV SPV. Sipas dokumentave rezultonte se Icare Holding s.a  kishte hyrë si aksionere me 40 për qind.

Pronari i Icare Holding është një biznesmen zvicerian i quajtur Max Abitbol, i cili ka aktivitet kryesisht në fushën e energjisë. Në tetor të vitit 2022, Icare Holding rezulton të ketë themeluar në Shqipëri kompaninë Icare Energji sha, administrator i të cilës rezulton Blerim Hoxha. Edhe pse emri i kompanisë Icare dhe ai i zotit Hoxha u përmendën gjerësisht në median shqiptare gjatë asaj kohe, kompania zviceriane nuk kishte reaguar asnjëherë deri më sot ndaj këtyre lajmeve.

Por emri i Blerim Hoxhës ridoli sërish në publik, kur u përmend edhe nga Arben Ahmetaj gjatë intervistës së tij me Çim Pekën. Kjo me sa duket ka shkaktuar reagimin e kompanisë zviceriane, e cila tani paralajmëron dhe veprime ligjore.

“Zbulojmë me habi të madhe informacione të rreme për Icare Group dhe zotin Blerim Hoxha në disa lajme shqiptare. Ne rezervojmë të gjitha të drejtat tona në gjykatat civile dhe penale kundër informacioneve të rreme që cenojnë reputacionin e lcare Group dhe z. Blerim Hoxha. Ne posaçërisht rezervojmë të drejtat tona ndaj z. Arben Ahmetaj, shtetas shqiptar me banim në Zvicër, para gjykatave zvicerane,” përfundon deklarata e firmosur nga presidenti i Icare Group, Max Abitbol, citon Kapitali.al.

Share it :