INSTAT po deformohet nën thundrën e sektit Rama!

0
134

Nga Bujar LESKAJ

Instituti Kombëtar i Statistikave(INSTAT) është një hallkë themelore dhe e pazëvendësueshme e sistemit tonë kombëtar të statistikave, të përbëre nga vetë INSTAT, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.  Institucioni ka punuar për hapjen dhe pastaj mbylljen sa më shpejt të bisedimeve për Kapitullin 18 “Statistikat” të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, për të realizuar përafrimin maksimal dhe njehsimin e produktit tonë statistikor me standardet e statistikave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me treguesit e EUROSTAT.

Një nga detyrat themelore të INSTAT është numërimi i popullsisë aktuale, i quajtur teknikisht Censi, për të mirëorientuar politikat e përfaqësimit në politikëbërje në Kuvend, ato të mbështetjes sociale dhe të nxitjes së punësimit, të ndalimit të hemorragjisë së largimit nga vendi, etj..

Më në fund, pas tre vitesh vonesë, më 18 shtator 2023, INSTAT nisi numërimin, censin e popullsisë dhe banesave. Në 6 javë, deri në fund të tetorit 2023, 16.5 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë u përdorën për të realizuar dhjetra mijëra intervista në shtëpitë e qytetarëve në mbarë vendin. Përgjigjet u morën nga 7 mijë e 500 intervistues të angazhuar nga INSTAT, të pajisur me tabletat dhe programin kompjuterik të duhur, për të rregjistruar në mënyrë elektronike të gjitha përgjigjet. Pyetësori me 100 pyetje synoi të ofronte të dhëna sa më të plota për popullsinë rezidente, për karakteristikat kryesore demografike dhe sociale, si dhe për strehimin, shëndetësinë, punësimin etj.

Teknologjia me programe kompjuterike të specializuara, e përdorur në Censin e fundit, i lejonte INSTAT të përpunonte në një kohë të shkurtër informacionin e marrë dhe të publikonte të dhënat paraprake shumë shpejt.

Mirëpo kaluan më shumë se tre muaj që ka përfunduar Censi dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë informacion mbi të dhënat paraprake që duhej tashmë të ishin përpunuar nga INSTAT, për popullsinë rezidente të vendit.

INSTAT nuk ka dhënë asnjë shpjegim mbi vonesën e publikimit të këtyre të dhënave paraprake të domosdoshme, duke u fshehur pas deklaratës se rezultatet e plota do t’i botojë në qershor 2024 dhe pas gjoja sulmeve nga hakerat, që i paskan bllokuar të dhënat.

Këmbëngulja e INSTAT se rezultatet e Censit 2023 nuk do të mund të shpallen përpara qershorit 2024 është e pakuptimtë. Ajo përbën një kambanë të fortë alarmi mbi besueshmërinë e shifrave që ky institucion do të na japë me 8 muaj vonesë. Pagojësia e INSTAT për të dhënë shkaqet e vonesës dëshmon praninë e presioneve të forta politike dhe porosinë-urdhër që institucioni ka marrë nga sekti Rama dhe vetë “Lideri Global”, që për tetë muaj të mbyllë gojën dhe të mos vërtetojë, përmes Censit, braktisjen masive të vendit!

Censi i fundit në Shqipëri u mbajt në tetor 2011. Ai u zhvillua pa praninë e teknologjisë digjitale  dhe megjithatë, të dhënat paraprake të tij u shpallën zyrtarisht në dhjetor 2011. Pra, edhe pse ishte tërësisht jo digjital, INSTAT iu deshën vetëm tre muaj për mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin paraprak të tyre.

Lind pyetja, pse në Shqipërinë e epokës së internetit, ku të 7,500 intervistuesit e INSTAT u pajisën që të gjithë me tabletat elektronike për të rregjistruar dhe administruar në kohë reale informacionin e mbledhur tërësisht në mënyrë digjitale, rezultatet do të shpallen në qershor 2024?

Pse e paskemi kaq të vështirë të numërojmë shqiptarët e mbetur në vend, në një kohë kur Censi i fundit në Kinë, me popullsi 1,4 miliardë banorë, filloi në nëntor 2020 dhe, edhe pse, në kulmin e pandemisë nga Covid 19, rezultatet ky vend i shpalli pak muaj më vonë, në maj 2021? Pse ne duhet të presim tetë muaj? Sa është popullsia jonë, mbi 1.4 miliardë banorë?!

Vonesa krejtësisht e pajustifikuar në shpalljen e rezultateve paraprake të Censit 2023 në Shqipëri, kur përpara 12 vitesh, qeveria e drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha këto rezultate i shpalli brenda 3 muajsh, hedh dyshime të forta mbi shifrat që INSTAT do të na japë tetë muaj më vonë. Veçanërisht mbi numrin e sotëm të saktë të qytetarëve rezidentë në Shqipëri, i cili do të dëshmonte braktisjen masive të vendit në dekadën e fundit. Thënë ndryshe, eksodin biblik të shqiptarëve në vitet 2014-2023, me mbi 900 mijë qytetarë të larguar!

Të dhënat zyrtare të EUROSTAT me shtimin e konsiderueshëm të emigrantëve shqiptarë në të 28 vendet anetare të Bashkimit Evropian në dhjetë vitet e fundit, e konfirmojnë këtë dukuri, ndërsa sekti Rama dhe vetë i ashtuquajturi Lider Global, shkaktar i shbërjes së vendit, po ushtrojnë  një presion politik të paprecedent mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj.

INSTAT, me heshtjen e tij të sotme, po deformohet, po kthehet në një institucion-rob të sektit Rama, i paaftë  të ruajë integritetin dhe profesionalizmin, duke humbur keqazi emrin e tij të mirë, të fituar në dekada kontribute.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here