Ish-deputeti Belind Këlliçi, i cili ka shkuar për një vizitë në SHBA, është takuar me kongresmenin Jonathan Jackson, me të cilin ka diskutuar për situatën e pazakontë politike në Shqipëri, ku lideri i opozitës po mbahet në arrest, ndërkohë që korrupsioni i shtrirë në nivelet më të larta të qeverisjes vazhdon të mbetet i paprekur nga drejtësia.
Në një mesazh me foto të publikuar në Fb, Këlliçi shkruan:Me Jonathan Jackson, Kongresmenin e Çikagos, i distriktit nr.1 të Illinois. I ati i tij, Jesse Jackson, konsiderohet në Amerikë si një ndër aktivistët e të drejtave të njeriut më në zë dhe një ndër personat më të afërt të Dr. Martin Luther King Jr. Partneriteti mes dy vendeve tona, situata politike në Ballkan dhe specifikisht në Shqipëri, ku kryetari i opozitës ndodhet në arrest, pa asnjë akuzë apo provë, ishin në fokus të bisedës tonë.Korrupsioni si pengesë serioze dhe kërcënimi më i madh për të ardhmen e vendit, ishte një nga shqetësimet që ndamë. E informova kongresmenin për denoncimet e forta dhe provat për aferat e qeverisë që paraqet opozita në mënyrë të përditshme dhe ndamë qëndrimin se asnjë i pushtetshëm në vend, nuk mund të ketë imunitet apo trajtim preferencial nga drejtësia,” nënvizoi Këlliçi.