Shoqata e biznesit të vogël e të mesëm të Shqipërisë ka reaguar për mosshitjen e mollëve të fermerëve të juglindjes së vendit.
Shoqata i kërkon ministrisë së Bujqësise, asaj së financave dhe kryeministrit Edi Rama gjetjen e një zgjidhje për të ardhur në ndihmë fermerëve për shitjen e afro 15 mijë ton mollëve të pashitura.
Sipas nënkryetarit të kësaj shoqate, Bujar Muço dy janë mundësitë për t’u ardhur në ndihmë fermerëve të shesin prodhimin që ka ngelur i ruajtur në frigorifer, rritja e çmimit të referencës së importit dhe rritjen e kontrollit të analizave të prodhimit që vjen nga vendet e tjera.
Nënkryetari i kësaj shoqate ka bërë me dije se në qoftë se kjo situatë nuk merr zgjidhje, fermerët do të përshkallëzojnë protestat e tyre.
I gjithë ky ngërç në mosshitjen e prodhimit ka ardhur për shkak të grumbullimit me çmim të lartë nga ana e grosistëve ndërkohë që mollët që vijnë nga Serbia, Moldavia dhe Polonia janë me çmim të ulët duke bllokuar prodhimin vendas.