Grabitje me dhunë në Korçë, hajdutët rrahin me sende të forta të moshuarin

Një grabitje me dhunë është regjistruar në një pallat në lagjen nr.15 të qytetit të Korçës. Mësohet se, ngjarja ka ndodhur në zonën e unazës së qytetit, ndërsa raportohet se, autorët kanë arritur të futen në një banesë, duke dhunuar një të moshuar, pasi kishin hyrë për ta grabitur.

Si pasojë e dhunës së ushtruar, i moshuari është dërguar me urgjencë në spital, për marrjen e ndihmës mjekësore, ndërsa raportohet se gjendja e tij është e rëndë. 80-vjeçari ka marrë plagë të rënda në kokë, pasi është goditur me sende të forta.

I moshuari jetonte vetëm në banesë. Nga informacionet parprake konfirmohet nga burime policore se dera e banesës nuk është e shqyer, por brenda saj ka shenja gjaku, çfarë çon në dyshime se personi që ka qenë brenda banesës ka pasur njohje me të moshuarin.Janë gjetur pije alkoolike brenda banesës, në tavolinë, çka sjell dyshimet që kanë qenë duke konsumuar alkool, dhe në gjendje të dehur mund të jenë konfliktuar

Ka dyshime që dhe autori të jetë plagosur pasi ka ecur anës pallatit ngjitur ku ka lënë gjurmë gjaku, por ende nuk është identifikuar. Gjendja e rëndë e të moshuarit 80-vjeçar e bën të pamundur marrjen e tij në pyetje.

Policia, me të marrë njoftimin, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të saj dhe kapjen e autorëve.

“Korçë/Informacion paraprak: Më datë 08.02.2024, rreth orës 07:05, spitali i Korçës ka njoftuar sallën operative të DVP Korçë se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi G. T., rreth 81 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Korçë.

Menjëherë në banesën e 81-vjeçarit ka shkuar grupi hetimor, i cili ka konstatuar se as dera e banesës dhe as dritaret e saj, nuk janë të dëmtuara. Nga këqyrja e banesës, si dhe nga sendet dhe provat e gjetura dyshohet se 81-vjeçari mund të jetë konfliktuar me ndonjë shtetas që e ka patur në banesë.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të dëmtimit të shtetasit dhe identifikimin e autorit të dyshuar pjesëmarrës në banesën e të dëmtuarit. Për këtë ngjarje pas sqarimit të të gjitha rrethanave të mekanizmit dhe motiveve do të kemi një njoftim të plotë.”, njofton policia.

Share it :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *