Një krim i rëndë u shënua mëngjesin e sotëm në fshatin Gurëz në Kurbin, ku mbeti i vrarë ekonomisti i një firme inertesh dhe u plagos pronari i saj.
Nga të shtënat mbeti i vdekur 70-vjeçari Selman Mihana me detyrë si ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari i firmës, 51-vjeçari Ardian Gjeloshi.
Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se autorët, ende të paidentifikuar, kanë qëlluar nga jashtë rrethimit të firmës e për pasojë plumbat kanë kapur ekonomistin Mihana, ndërsa pronari Gjeloshi ka qenë duke u futur në ambientet e zyrës kur u plagos.
Ka dyshime se objektiv ka qenë pronari i firmës, i cili aktualisht është në spital ku po merr ndihmë mjekësore. Këtë fakt e konfirmon edhe zëvendës drejtori i Policisë në Lezhë, Gentjan Berberi.
“Sot rreth orës 07:00 është njoftuar se është qëlluar me armë zjarri është tentuar të vritet A.GJ. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën S.M. Dyshohet se është qëlluar me automatik. Pista hetojmë konflikte mosmarrëveshje. Objektivi dyshohet A.GJ dhe është në gjendje të mirë”, tha Berberi.
Pas ngjarjes, Policia dhe RENEA kanë zbarkuar në zonë dhe vijojnë kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 07:00, është marrë njoftim se në fshatin Gurez, Kurbin, në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi S. M, rreth 70 vjec, ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari shtetasi A. GJ, rreth 51 vjec, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjeksore.
Shërbimet e Policisë Vendore kanë shkuar në vendngjarje, është rrethuar zona dhe vijon kontrolli i territorit.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale Renea.
Në një moment të dytë do të ketë njoftim më të plotë në lidhje me ngjarjen.