Kryedemokrati Berisha foli sonte edhe per hetimet per Amant Josifin ku tha se Shqipëria është sot vendi i skandaleve më të mëdha në Europë.
“Një vend me 28 mijë kilometra katrorë, prodhon skandale më të mëdha se çdo vend tjetër.
Dje, Skapi i partisë informoi publikun për amnistinë e Amant Josifit dhe Olsi Ramës.
Miqtë e mi, Amant Josifi, ortak i Olsi Ramës, me një rrjet të tërë call-centerash, në kuadrin e një grupi supermafioz evropian, u kanë plaçkitur qytetarëve gjermanë, italianë, spanjollë dhe të vendeve të tjera 2.8 miliardë euro me Bitcoin.
E gjitha kjo, krimi i shëmtuar ishte një skemë e shtrirë në disa vende, por Shqipëria e vockël kishte 40 përqind të kësaj veprimtarie kriminale banditeske.
Në krye të kësaj veprimtarie ishte Amant Josifi, i biri i kryetares së administratës së Edi Ramëës.
Ortaku i Olsi Ramës.
Çfarë bëri Altin Dumani me Skapin e tij? Kur mediat dhe opozita kërkuan të arrestohej Amant Josifi, jo tha, nuk kemi pse dhe ai nuk lëshoi urdhërarresti. Olsi Rama e përcolli për në Dubai.
Një gjykatë e një qyteti të vogël të Spanjës, pas ankesës së qytetarëve të atij qyteti, lëshoi urdhërarresti. Policia spanjolle e gjeti atje ku ishte, e gjeti në Dubai.
Çfarë u thotë shqiptarëve Altin Dumani sot? Në mënyrën më kriminale u thotë se për Amant Josifin, kemi rënë dakord ta hetojë prokuroria spanjolle.
A ka akt më të turpshëm se ky? Amant Josifi miqtë e mi, krimin e tij të shëmtuar, vjedhjen e miliarda eurove në Bitcoin, e ka kryer nga Tirana me Olsi Ramën, i mbrojtur politikisht prej Olsi Ramës.
Krimi pra ka ndodhur në Shqipëri, por për Dumanin jo, jo. Sepse e di se Amanti po të hetohet, do thotë se e kisha me Olsin ortakërinë. Dhe Dumani nuk guxon të shqipërojë emrin e Olsit, sepse është i kapur, i ngërthyer nga Edi Rama.
Dhe u them dumanistëve se mbrojtja e Dumanit është mbrojtje e krimit, se mbrojtja e Dumanit është mbrojtje e Edi Ramës.
A ka logjikë njerëzore të thotë se në Shqipëri ndodh vrasja, por ta gjykojë në një vend tjetër? A ka logjikë njerëzore të thotë se nga Tirana janë vjedhur 2 miliardë euro europianëve, por ta gjykojë një vend tjetër?
Ky është turp, kjo është faqe e zezë, ky është krim i shëmtuar.”