Kërcënimet ndaj ekspertit të IT, Boçi: PD i dënon me ashpërsi, thirrje shqiptarëve të mblidhemi më 20 shkurt

0
190

Eksperti i IT Gent Progni u kërcënua me jetën e djalit të tij, pas denoncimeve të vazhdueshme që ka bërë në media. Persona të paidentifikuar i kishin çuar mesazh se nëse vijonte të fliste do të gjente kufomën e djalit të tij.

Nënkryetari Luçiano Boçi ka dënuar në emër të PD-së kërcënimet ndaj Prognit.

“Në një email të ardhur në adresë të tij thuhet shprehimisht: vazhdo jepi gojës dhe do gjesh kufomën e djalit tënd! Partia Demokratike e dënon me ashpërsinë më të madhe kërcënimin e z. Progni dhe bën thirrje organeve të ligjit të fillojnë menjëherë hetimet dhe të gjejnë kërcënuesit.

Kërcënuesit dihen, ata janë të së njëjtës vathë politike që morën në telefon nga burgu apo jashtë tij, edhe ish-numrin 2 të qeverisë së Rilindjes, Arben Ahmetaj.

Përveçse si shenja të degjenerimit të pushtetit dhe të zullumit të vjedhjeve pafre, Partia Demokratike i sheh dhe i dënon këto kërcënime edhe si përpjekje për të trembur popullin opozitar, që tubohet prej 43 ditësh te Rruga e shpresës, dhe do të derdhet lumë më 20 shkurt në protestën kombëtare të Tiranës.

Gent Prognit i ofrojmë mbështetjen dhe inkurajimin tonë dhe e falënderojmë për punën patriotike për zbulimin dhe denoncimin e skandaleve të AKSHI-t të qeverisë”, tha Boçi.

Boçi i bëri thirrje shqiptarëve të bëhen bashkë në protestën e 20 shkurtit.

“Shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën: se janë të zhveshur nga çdo siguri mbi të dhënat personale të tyre, dhe se zyrat shtetërore veprojnë si kioska exchange për pasurimin e zyrtarëve.

Shqiptarët nuk do të shohin kufomën e asnjë bashkatdhetari të tyre, por kërmën e qeverisë e cila është një e vdekur e pakallur, bashkë me hajdutët profesionistë të monedhave cash apo virtuale me Edët, Olsët dhe Amantët në krye. Më 20 shkurt mblidhemi në Tiranë për ta përcjellë këtë kufomë aty ku e ka vendin”, tha demokrati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here