Erion Veliaj ka dhënë një intervistë për televizionin News 24, ku ndër të tjera foli për Asamblenë e Partisë Socialiste, nga ku dolën lajme se ai ka marrë kritika nga kryeministri Rama.
Në media u raportua se Rama e kishte kritikuar Veliajn duke i thënë se “është bërë si OJQ”, ndërkohë që ndaj tij kishte artikuluar kritika edhe ministrja e Shëndetësisë.
Veliaj u përpoq të shuante këto lajme, duke deklaruar se nuk ka asnjë problem dhe konflikt mes tij dhe kryeministrit Rama, deklaratë që duket më shumë se ka për synim t’i drejtohet SPAK-ut sesa qytetarëve.
Po kështu, akuzave të Arben Ahmetajt, se ai është pronari faktit i inceneratorit të Tiranës, Veliaj iu përgjigj duke thënë se nuk ka probleme me drejtësinë, ndërkohë që nuk i komentoi deklaratat konkretisht.
Kujtojmë se roli i kryebashkiakut Veliaj, në aferën e inceneratorit të Tiranës, është duke u verifikuar nga SPAK, por ai nuk është regjistruar zyrtarisht si një person nën hetim. Ndërkohë dy drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu janë arrestuar.
Ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj, gjatë një interviste nga arratia, hodhi akuza të rënda ndaj Veliajt, duke deklaruar se ai është sjellë si “pronar faktik” i inceneratorit, duke urdhëruar se cilat kompani duhet të përjashtohen nga tarifa e depozitimit të dherave.